Kryeministri ukrainas: Forcat tona në Mariupol nuk janë dorëzuar

17 prill 2022 | 16:55

Forcat e mbetura ukrainase në portin jugor të Mariupolit janë ende duke luftuar dhe vazhdojnë të sfidojnë kërkesën e Rusisë që ata të dorëzohen, tha të dielën kryeministri ukrainas Denys Shmyhal.

“Qyteti nuk ka rënë ende”, tha Shmyhal për televizionin amerikan të ABC të dielën, duke shtuar se ushtarët ukrainas vazhdojnë të kontrollojnë disa pjesë të qytetit.

Shmyhal tha se do të marrë pjesë në takimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Uashington këtë javë dhe do të kërkojë më shumë ndihmë financiare për Ukrainën.

Rusia vazhdon të presë që luftëtarët ukrainas në qytetin port të rrethuar të Mariupolit të dorëzojnë armët.

Sipas agjencisë “Reuters”, megjithëse kanë kaluar disa orë nga afati që kishin vendosur trupat ruse, nuk kishte shenja se luftëtarët ukrainas, të ngujuar në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal, do të pajtoheshin me këtë kërkesë.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes të shtunën Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se “situata në Mariupol mbetet tejet e rëndë e çnjerëzore. Rusia po përpiqet qëllimisht të shkatërrojë të gjithë ata që janë në Mariupol”.

Nëse Rusia pushton këtë qytet, kjo do të shënonte herën e parë që trupat ruse do të kishin kontrollin e një prej qyteteve më të mëdha të Ukrainës që nga fillimi i sulmit më 24 shkurt.

Zelenskyy tha se kishte biseduar me kryeministrin britanik dhe atë suedez të shtunën lidhur me situatën në Mariupol, mundësinë e ashpërsimit të sanksioneve kundër Rusisë, si dhe mbrojtjen e garantimin e mbështetjes për Ukrainën.

Rusia ka rinisur gjithashtu sulmet me raketa ndaj disa qyteteve e sulmet me artileri ndaj të tjerave.

“Megjithëse kemi dëgjuar shumë mbi qëllimet që ata kanë për të ndihmuar Ukrainën për të luftuar trupat ruse”, tha Zelensky në fjalimin e tij, “asnjë prej tyre nuk është realizuar ende” sikurse tha ai.

Një shpërthim në Kharkiv të shtunën shkatërroi një kuzhinë komunitare e ngritur nga Kuzhina Qendrore Botërore e shefit të famshëm të kuzhinës Jose Andres, e cila po shpërndan ushqime për popullatën në disa zona të Ukrainës.

Andres tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se kuzhinierët e organizatës së tij do të vazhdojnë të gatuajnë e shpërndajnë ushqim në Ukrainë. Ai tha se të japësh ushqim në mes të një lufte të pakuptimtë është një akt guximi e rezistence. /VoA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
23 vjet më parë ushtria dhe policia serbe vranë dhe…