Kryeministrja Andersson: Suedia do të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në NATO në fund të qershorit
Sipas të përditshmes “SvD”, kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, synon të aplikojë për anëtarësim në NATO gjatë takimit dy-ditor të aleancës në Madrid më 29-30 qershor.
Mediat suedeze raportojnë se Suedia do të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në NATO në fund të qershorit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të përditshmes “SvD”, kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, synon të aplikojë për anëtarësim në NATO gjatë takimit dy-ditor të aleancës në Madrid më 29-30 qershor.
Pas luftës së Rusisë në Ukrainë, vëmendja është fokusuar edhe te vendet neutrale, siç është Suedia, për mundësinë e rishqyrtimit të pozicioneve të tyre të sigurisë.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, shkaktoi reagimin ndërkombëtar, çoi në sanksione financiare kundër Moskës dhe inkurajoi largimin e kompanive globale nga Rusia.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.892 civilë janë vrarë dhe rreth 2.600 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4,6 milionë ukrainas po ashtu kanë ikur jashtë vendit, ndërkohë miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.



