Kryeparlamentarja Osmani ndan mirënjohje për delegatët e Deklaratës së 2 Korrikut

02 korrik 12:20

Kryetarja e Kuvendit të Kosovë, Vjosa Osmani, ka ndarë mirënjohje për përfaqësuesit e legjislaturës e cila, para dyerve të tempullit të lirisë, e ka artikuluar qartë pikësynimin e pathyeshëm për liri në Deklaratën e 2 Korrikut të vitit 1990.

Sipas Osmanit, deklarata e miratuar nga 114 delegatët e asaj kohe ishte akti politik dhe juridik me të cilin Kosova përfundimisht nuk pranoi t’i nënshtrohej hegjemonisë dhe i hapi udhë artikulimit të shtetësisë së Kosovës, e cila u konkretizua me Kushtetutën e Kaçanikut, të 7 shtatorit të po atij viti.

“Prandaj, ua shpreha mirënjohjen më të thellë timen dhe të Kuvendit të Kosovës për aktin sa heroik, aq njerëzor të secilit prej tyre, duke nisur nga ish-kryetari Ramajli, delegatët e pranishëm sot, delegatët që për arsye moshe e shëndeti nuk mund të ishin sot me ne dhe në veçanti atyre grave e burrave që tashmë nuk janë mes nesh”.

“Që të gjithë do të mbahen në mend përjetësisht, sepse në vorbullën politike të kohës, kur vendi ynë po vihej egërsisht nën çizmen e regjimit serb ata i dolën zot atij dhe e artikuluan vullnetin politik të qytetarëve liridashës për Kosovën Republikë”.

“Ne ju përkulemi sot sepse ata e kuptuan se në botën e përplasjeve të mëdha ideologjike të fundviteve ’80, orientimi drejt vlerave demokratike, përqafimi i idesë së lirisë për veten dhe për tjetrin, si dhe refuzimi i ideologjisë komuniste ishin edhe vullnet edhe orientim strategjik”, ka thënë Osmani, raporton “Epoka e re”.

Osmani ka thënë themelet e shtetit të Kosovës qëndrojnë edhe mbi Deklaratën e 2 Korrikut të vitit 1990.

“Sot themelet e shtetit tonë qëndrojnë mbi vendimin e këtyre delegatëve për ta refuzuar dhunën dhe për t’i përqafuar vlerat e lirisë. Prandaj, si kryetare e Kuvendit i falënderoj në emër të të gjitha legjislaturave pas asaj të 2 korrikut dhe t’i siguroj se çdo veprim yni në jetësimin e lirive njerëzore dhe në promovimin e tyre do të jetë i frymëzuar nga parimet që i vulosën këta delegatë me Deklaratën Kushtetuese”.

“E, njëri ndër këto parime është këmbëngulja për ta jetësuar shtetin e së drejtës dhe mosdorëzimi para çfarëdo lloj pengese. Ne qëndrojmë fort mbi këtë parim sepse delegatët e 2 korrikut i kishim shembull nga i cili mësuam”, është shprehur Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rezultatet preliminare tregojnë se në referendumin jodetyrues në Rusi janë…