
Kryeprokurori Bajrami bën thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe mediave
Në kuadër të konferencës “Mbrojtja e gazetarëve dhe avancimi i barazisë gjinore në media”, e organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, dhe me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe CDF-së, u shënua Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.
Në këtë konferencë, pjesëmarrës ishte edhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, i cili kontribuoi në panelin e dytë të diskutimit me temën: “Gazetaria, Drejtësia dhe Llogaridhënia”.
Duke folur për kërcënimet dhe vështirësitë me të cilat përballen gazetarët në ushtrimin e profesionit, Kryeprokurori Bajrami theksoi rëndësinë e një reagimi të shpejtë dhe të koordinuar institucional për të garantuar mbrojtje efektive ndaj gazetarëve dhe për të forcuar llogaridhënien. “Liria e shprehjes është një vlerë themelore e shoqërisë sonë. Mbrojtja e gazetarëve nga kërcënimet dhe presionet nuk është vetëm detyrë morale, por edhe obligim ligjor i sistemit të drejtësisë. Çdo rast të kërcënimit ndaj gazetarëve, prokurorët e shtetit e trajtojnë me prioritet dhe pa vonesa,” theksoi Kryeprokurori Bajrami.
Kryeprokurori Bajrami, bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe mediave, si dhe për krijimin e mekanizmave më të qartë të raportimit dhe trajtimit të rasteve të dhunës apo presionit ndaj gazetarëve.
Paneli përfshiu gjithashtu përfaqësues të gjyqësorit, gazetarë dhe ekspertë ligjorë, duke sjellë perspektiva të ndryshme mbi sigurinë mediatike dhe nevojën për përgjegjësi institucionale.