Kryeprokurori i Shtetit: Do ta forcoj luftën kundër të gjitha veprave penale

24 tetor 2022 | 13:48

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, me rastin e fillimit të Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit, ka thënë se përkushtimi i tyre është seriozë dhe profesional, në mënyrë që në asnjë moment të mos ketë neglizhim dhe vonesa në ndjekjen dhe ndëshkimin e atyre personave që cenojnë të drejtat, liritë themelore dhe vlerat tjera të viktimave, të garantuara me Kushtetutë, ligjet e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare.

“Kështu ne do tua mundësojmë të gjithë viktimave një proces të drejtë dhe do t’ju sigurojmë një jetë normale në frymën e paqes, lirisë dhe prosperitetit. Jam optimist se angazhimi i Prokurorit të Shtetit, mbrojtësve të viktimave dhe të gjitha Institucioneve dhe mekanizmave të tjerë relevantë, që në çfarëdo mënyre kanë detyrime ligjor për të mbështetur viktimat e krimit, nuk do të mungojë, sepse viktimat dhe të mbijetuarit e krimit mbajnë sytë gjithmonë kah të gjithë ne, e në veçanti kah drejtësia, e cila duhet të sigurojë qytetarët që kryerësit e krimit do të ndëshkohen, ndërsa viktimat do të rehabilitohen dhe riintegrohen për të jetuar të lirë dhe të barabartë më të gjithë të tjerët, andaj ne mund të jemi qetë dhe të kënaqur vetëm atëherë kur trajtimi i viktimave bëhet në mënyrën më të mirë profesionale dhe kur viktimat do të jenë të kënaqura më shërbimet dhe veprimet tona”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka bërë me dije se vetëm gjatë nëntë mujorit të vitit 2022, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ofruar ndihmë për 2163 raste të viktimave të të gjitha kategorive. Po ashtu, sipas Kelmendit, mbrojtësit e viktimave kanë marrë pjesë në 2148 seanca gjyqësore dhe 578 seanca në prokurori.

“Në fund, dëshiroj të theksoj se institucioni i Prokurorit të Shteti, në vazhdimësi dhe me profesionalizëm do të intensifikojë luftën kundër të gjitha veprave penale, përfshirë këtu rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, integritetit seksual, dhunues në familje, dhunës në baza gjinore dhe të gjitha formave tjera të krimit, sepse vetëm kështu do të ndikojmë në rritjen e besimit jo vetëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtarë në sistemin e drejtësisë, njëkohësisht do ta fuqizojmë autoritetin, kredibilitetin dhe integritetin e Prokurorit të Shtetit”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar punimet…