Kryeshefi i Trafikut Urban: Po operojmë me bilanc pozitiv
Trafiku Urban ka informuar lidhur me përformancën financiare të ndërmarrjes. Në njoftimin e Trafikut Urban thuhet se po vazhdojnë të operojnë me bilanc pozitiv dhe stabilitet të qëndrueshëm financiar.
Njoftimi i plotë:
Në përgjigje të interesimit të vazhdueshëm tuajin lidhur me performancën financiare të ndërmarrjes, ju informojmë se NPK Trafiku Urban SHA vazhdon të operojë me bilanc pozitiv dhe me stabilitet të qëndrueshëm financiar. Gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, rezultatet financiare janë si në vijim:
Të hyrat totale: 7,370,734 €
Shpenzimet operative: 6,269,177 €
Shpenzimet financiare: 193,104 €
Shpenzimet e zhvlerësimit: 820,433 €
Bazuar në këta tregues, fitimi operativ për periudhën arrin 908,453 €, ndërsa pas zbritjes së shpenzimeve të zhvlerësimit, fitimi neto i ndërmarrjes është 88,020 €. Gjithashtu ju njoftojmë se Llogaritë e Arkëtueshme, të cilat përfaqësojnë detyrimet që Komuna e Prishtinës ka ndaj ndërmarrjes, kapin vlerën rreth 2.7 milionë euro. Për pasojë, dhe si rezultat i mosarkëtimit të këtyre mjeteve, Trafiku Urban mban aktualisht Llogari të Pagueshme ndaj operatorëve ekonomikë në shumën rreth 1.6 milionë euro. Në kuadër të transparencës së plotë, në bashkëngjitje gjeni Pasqyrën e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për periudhën raportuese.




