
Kryesia e FC Kosovës Düsseldorf: Me gjithë sukseset dhe sfidat që kaluam bashkë, kemi arritur të mbajmë lart emrin dhe krenarinë e klubit
Kryesia e FC Kosovës Düsseldorf, dhe kryetari i saj, Bujar Neziri, kanë falënderuar lojtarët për rezultatet dhe lojën e treguar, shikuesit për mbështetjen dhe donatorët për kontributin e tyre të çmuar gjatë gjithë kampionatit futbollistik 2024/25.
FC Kosovës Düsseldorf, të dielën ka zhvilluar ndeshjen e fundit të kampionatit në Landesliga, dhe edhe pse kanë fituar tre pikë të reja, megjithatë nuk kanë arritur që të inkuadrohen në Oberliga, aty ku edhe e kishin synimin.
Falënderimi i plotë i klubit shqiptarë për të gjithë:
FALËNDERIM
Kryesia e FC Kosovës me rastin e përfundimit të kampionatit në “Landesliga” – 2024/2025.
Sot, më 01.06.2025, u zhvillua ndeshja e fundit e sezonit për FC Kosovën në kuadër të Landesligës, ku si mysafir në Velbert, ndaj SC Velbert, djemtë tanë arritën një fitore të merituar me rezultat 1–3.
Ishte një përballje e mbushur me entuziazëm, përkushtim dhe lojë brilante, e cila përmbylli një sezon të denjë. Kjo fitore u shijua së bashku me tifozët tanë të mrekullueshëm ,më besnikët në këtë ligë ,të cilët na mbështetën pa u lodhur në çdo hap të rrugëtimit.
Qëllimet, vizioni dhe ambiciet tona ishin edhe më të larta. Gjatë këtij sezoni, shpeshherë kryesuam tabelën dhe ishim ndër favoritët për t’u ngjitur në “Oberliga.”Por, fati nuk ishte në anën tonë, dhe duhet të pranojmë realitetin objektiv të këtij kampionati.
Kryesia e Fc Kosovës ju falënderon nga zemra të gjithë ju që dhatë gjithçka nga vetja për ngjyrat e klubit. Për angazhimin, përkushtimin dhe kontributin tuaj të palodhur, meqë rast ndajmë këtë falënderim të sinqertë me të gjithë sportdashësit shqiptarë në mërgatë:
“Urime për përfundimin e kampionatit!”
Me gjithë sukseset dhe sfidat që kaluam bashkë, kemi arritur të mbajmë lart emrin dhe krenarinë e FC Kosovës. Në katër vitet e fundit, u ngjitëm dy liga më lart, duke shënuar suksese dhe fituar trofe të rëndësishëm. Edhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme, që e bën klubin tonë një prej më të suksesshmëve në mërgatën shqiptare.
Një falënderim i veçantë shkon për Kryesinë, trajnerin, stafin teknik, lojtarët, sponsorët, donatorët, veteranët dhe mbi të gjitha ,tifozët tanë të dashur ,të cilët me plot kuptimin e fjalës ishin lojtari i 12-të në çdo ndeshje.
Me respektin më të madh për secilin prej jush, për çdo orë pune, djersë dhe përkushtim të dhënë për FC Kosovën.
Klubi ynë do të mbetet një shtyllë e qëndrueshme, me vizion të qartë dhe me një frymëzim madhështor për gjithë mërgatën shqiptare ,një simbol krenarie, bashkimi dhe sportiviteti.
Faleminderit, me respekt, dhe urime për të gjithë!
Kryesia e FC Kosovës
01.06.2025 – Düsseldorf