Kryesia e LDK-së dhe Grupi Parlamentar dalin me deklaratë pas takimit në Presidencë

15 maj 2025 | 18:48

As pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me krerët e partive parlamentare të enjten, nuk është shënuar ndonjë përparim për zhbllokimin e ngërçit politik, i shkaktuar nga dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tre muaj pas zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës deklaron se e konsideron obligim politik, moral dhe kushtetues të paraqesë qartazi vizionin dhe qëndrimin politik për tejkalimin e krizës aktuale.

LDK thotë se kriza “është pasojë e paaftësisë së partisë së parë për të krijuar shumicën parlamentare, zgjedhjen e kryetarit dhe konstituimit të Kuvendit”.

Deklarata e plotë:

Sot, mbajtëm takimin e përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga ky takim, me unanimitet të plotë, nxorrëm këtë Deklaratë Politike:

Deklaratë politike e përbashkët e Kryesisë së LDK-së dhe e Grupit parlamentar

Sot, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku morri pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, në përpjekjen për të gjetur zgjidhje për të dalë nga kriza politike dhe institucionale tre mujore e vendit. Pa Kuvend, pa qeveri funksionale; pa drejtim; dhe si rrjedhojë – pa përgjigje për brengat e qytetarëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron obligim politik, moral dhe kushtetues të paraqesë qartazi vizionin dhe qëndrimin politik për tejkalimin e krizës aktuale.

Kriza është pasojë e paaftësisë së partisë së parë për të krijuar shumicën parlamentare, zgjedhjen e kryetarit dhe konstituimit të Kuvendit.

Çdo përpjekje për të funksionalizuar institucionet pa një shumicë të tillë nuk është tjetër veçse përpjekje për të imponuar arbitrarisht dëshira politike partiake mbi realitetin politik. Së këndejmi, insistim kokëfortë dhe me vetëdije për të përsëritur procesin e dështuar për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit për herën e gjashtëmbëdhjetë, nuk jep asnjë zgjidhje.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja e tanishme nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi. Çdo vonesë në ndërtimin e institucioneve, çdo ditë me një qeveri në detyrë që vepron përtej kompetencave kushtetuese, deri në shkelje të rënda penale, është dëm për interesin e qytetarëve dhe cenon rëndë rendin kushtetues institucional të vendit.

Me qëllim të zgjidhjes së krizës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë propozimin për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe detyrime të përcaktuara qartë. Kryesia e LDK-së vlerëson se propozimi i LDK-së për zgjidhjen e krizës është më i përshtatshmi dhe i shërben interesit të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë e përgjegjshme, do të sillet me maturi në drejtim të zgjidhjes së krizës.

Lidhja Demokratike e Kosovës fton të gjitha partitë politike që të mbështesin idenë për një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, si rruga më e mirë të zgjidhur krizën e thellë.

Prishtinë, 15 maj 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore…