
Kryesimi i Gjermanisë me BE-në shënon një moment kthese edhe për Kosovën
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë të mërkurën se kryesimi i radhës i Gjermanisë me Bashkimin Evropian shënon moment kthese dhe definimi edhe për proceset e lidhura me Kosovën.
“Është një moment kthese e definimi, me shpresa të rikthyera tek qytetarët tanë se gjatë presidencës gjermane me Bashkimit Evropian do të mbyllet suksesshëm lëvizja e lirë për Kosovën”, është shprehur Haradinaj-Stublla.
Ajo ka thënë se korriku 2020 shënon dyvjetorin prej kur Komisioni Evropian ka konfirmuar që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Pritjet tona janë të larta për këtë mandat. Energjia dhe vëmendja e Gjermanisë gjithmonë ka qenë lajm i mirë për Kosovën”, është shprehur ministrja Haradinaj-Stublla, duke shtuar se “ne qëndrojmë më të fuqishëm në rajon dhe në të gjitha proceset integruese në Evropë, me Gjermaninë si udhëheqëse”.
(M.K / Epoka e re)