Kryetarët shqiptarë në veri, të premten e dorëzojnë detyrën

01 dhjetor 2025 | 23:29

Detyra nuk iu dorëzua ashtu siç e kërkon ligji.

Kjo ishte pamja para objekteve komunale, në ditën kur kryetarët e sapozgjedhur shqiptarë hynë në katër komunat veriore të vendit në maj të vitit 2023.

Kjo meqë qytetarët serbë të udhëhequr nga Lista Serbe, protestuan në këtë formë.

Krejt kjo, për ta shprehur pakënaqësinë se në krye të këtyre komunave, për herë të parë po vinin kryetarët shqiptarë.

E të premten komuna e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut, do të kthehen sërish në duart e kryetarëve serb.

Por, pamje krejt tjetër në ditën e tij të fundit si kryetar, po premton kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

“Unë derisa ta dorëzoj detyrën sipas procedurave, unë jam aty (kryetar) pres ta bëjmë pranim-dorëzimin me procedurat siç e lypin ligjet dhe më pastaj unë mund t’i kthehem vendit të punës qysh kam qenë edhe më përpara si zyrtar për kthim dhe riatdhesim. Uroj që gjithçka të respektohet siç jemi të obliguar”, ka thënë Zeqiri.

Zeqiri për Tëvë1, tregon për gjendjen se si e gjetën komunën, kur e filluan punën.

“Komunën e kemi gjetur në administrimin e një shteti që quhet Serbi dhe gjithë dokumentacioni që ka qenë në komunë ka qenë sipas ligjeve dhe rregulloreve të shtetit serb, që këta e kanë quajt paralel. Ajo ka qenë objekt i uzurpuar dhe tani është në duart e qytetarëve”, tha Zeqiri.

Me 5 dhjetor janë caktuar edhe seancat konstituive, ku komunat me shumicë serbë, do t’u dorëzohen udhëheqësve të ri.

Por, pavarësisht kësaj, analistët thonë se gjendja në terren ka ndryshuar.

“Përpjekja e Beogradit për ta ulë cilësinë e qeverisjes atje dhe për ta rrit shkallën e destabilizimit do të jetë e vazhdueshme. Megjithatë gjendja e krijuar në terren, ku nuk ekziston ai krimi në terren, do të jetë më e vështirë për ta rikthyer mentalitetin qeverisës që ishte dikur”, ka thënë profesori universitar, Avdi Smajljaj.

Ndryshe, të premten do të mbahen seancat konstituive edhe në komunën e Graçanicës, Shtërpcës, Novobërdës, Parteshit e Ranillugës.

Ndërsa seanca konstituive për në Komunën e Kllokotit, do të caktohet më vonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Historia e tij ka diçka prej përralle, shkruan Corriere della…