Kryetari Agim Aliu mbështet Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që mbahet më 17 shkurt
Përfaqësuesit e platformës Liria ka Emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë qëndruar sot në Komunën e Ferizaj, ku janë pritur në takim nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e platformës e njoftuan Kryetarin Aliu me misionin e “Liria ka Emër” dhe me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të dinjitetit të luftës çlirimtare.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, shprehu mbështetje të plotë për këtë iniciativë qytetare dhe u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje.
“Lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe çlirimtare. Drejtësia për ata që sakrifikuan për këtë vend nuk guxon të politizohet. I ftoj qytetarët e Ferizajt dhe të gjithë Kosovës që më 17 shkurt të bashkohen në Prishtinë për drejtësi të vërtetë për çlirimtarët tanë”, tha Aliu.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, vlerësoi mbështetjen institucionale dhe qytetare që po merr marshi nëpër Kosovë.
“Mbështetja nga Ferizaj është dëshmi se kjo kauzë i përket ndërgjegjes qytetare. Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ është thirrje paqësore për drejtësi të paanshme dhe për respektimin e së vërtetës sonë historike”, tha Hoxha.
Edhe përfaqësuesi tjetër i platformës, Ismail Tasholli, theksoi rëndësinë e mobilizimit gjithëpërfshirës.
“Ky marsh nuk është kundër drejtësisë, por kundër politizimit të saj. Më 17 shkurt marshojmë si qytetarë, për dinjitetin e luftës çlirimtare dhe për drejtësi që nuk selektohet”, tha Tasholli.
Platforma Liria ka Emër do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt në Prishtinë.



