
Kryetari i AGK-së bëhet pjesë e bordit të Federatës Evropiane të Gazetarëve
Në Kongresin Zgjedhor të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), i mbajtur më 2 – 3 qershor 2025 në Budapest, për herë të parë në historinë e EFJ-së, një përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, është zgjedhur anëtar i Bordit Drejtues të kësaj organizate.
Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, u zgjodh në këtë pozicion të rëndësishëm, duke shënuar një moment historik të rëndsishëm për përfaqësimin e gazetarëve të Kosovës në nivel evropian.
Zgjedhja e Xhemajl Rexhës në Bordin Drejtues të EFJ-së përfaqëson një njohje të rëndësishme për punën e AGK-së në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe promovimin e lirisë së shtypit në Kosovë. Ky zhvillim forcon zërin e gazetarëve të Kosovës dhe rajonit, në arenën evropiane dhe hap rrugë për bashkëpunime të reja në mbrojtje të standardeve profesionale dhe etike në gazetari.
Kjo ishte hera e parë që EFJ mbajti një takim statutor në Hungari, duke mbledhur mbi 120 gazetarë dhe përfaqësues sindikalë nga 38 vende evropiane. Në këtë takim u zgjodhën 7 nga 11 kandidatët për anëtarë të Komitetit Drejtues për një mandat trevjeçar, si dhe u zgjodhën presidentja Maja Server dhe Nënkryetari i ri i EFJ-së, Pablo Auiqel Garbarini (SNJ-CGT, Francë). Përpos Rexhës, anëtarët e tjerë të Bordit Drejtues të EFJ-së janë: Andrea Roth (DJV, Gjermani), Allan Boye Thulstrup (DJ, Danimarkë), Renske Heddema (NJV, Holandë), Antonis Repanas (ESIEMTH, Greqi), Aise Banu Tuna (TGS, Turqi) dhe Sergiy Tomilenko (NUJU, Ukrainë).
Bordi Drejtues i EFJ-së është organi më i lartë ekzekutiv i organizatës, që mbledhë rreth 300 mijë anëtarë nga i gjithë kontineti.