
Kryetari i BSPK-së merr pjesë në Forumin e 10 të Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), prof. dr. Atdhe Hykolli, mori pjesë në Forumin e 10-të të Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), me mbështetjen e Komisionit Evropian, Fondacionit për Shoqëri të Hapur – të Ballkanit Perëndimor dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Forumi dyditor, më 13 dhe 14 maj 2025, në Budvë mblodhi përfaqësues nga sindikatat, organizatat e shoqërisë civile, institucionet e BE-së dhe aktorët ndërkombëtarë, duke theksuar rolin thelbësor të shoqërisë civile dhe partnerëve socialë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe zbatimin e Shtyllës Evropiane të të Drejtave Sociale.
Pjesëmarrja e BSPK-së dëshmoi përkushtimin aktiv të sindikatave të Kosovës në proceset demokratike dhe integruese, me fokus në përfshirjen e strukturave të shoqërisë civile në monitorimin dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Instrumentit për Reformë dhe Rritje.
Gjatë Forumit, kryetari Hykolli zhvilloi një takim të veçantë me kryetarin e EESC-së, Oliver Röpke, ku u diskutua mundësia reale që forumi i ardhshëm i Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor të mbahet në Kosovë, si një vlerësim për angazhimin demokratik dhe për të thelluar dialogun institucional në vend.
Pjesëmarrësit e Forumit miratuan Rezolutën Përfundimtare, e cila: 1. Mbështet fuqishëm zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor mbi bazë të meritave, me përfshirje të plotë të shoqërisë civile dhe partnerëve socialë në proceset negociuese; 2. Thekson nevojën për integrim social dhe ekonomik përmes zbatimit të Planit të Rritjes dhe përfshirjes së sindikatave në tregun e përbashkët rajonal; 3. Kërkon avancimin e barazisë gjinore, përfshirjes së romëve, luftimin e punës joformale dhe zhvillimin e aftësive në përputhje me tregun e punës; 4. Bën thirrje për forcimin e mbrojtjes sociale dhe pjesëmarrjes së organizatave të shoqërisë civile në vendimmarrje publike.
Pas përfundimit të Forumit në Budvë, kryetari Hykolli do të vazhdojë takimet në Konferencën Ministrore, ku pritet të takojë përfaqësues të sindikatave evropiane dhe partnerë ndërkombëtarë, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të avancuar më tej interesat e punëtorëve të Kosovës në nivel evropian.
BSPK riafirmon përkushtimin për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të integruar në Bashkimin Evropian.