
Kryetari i Gjilanit komenton arritjen e marrëveshjes për dokumenete Kosovë-Serbi
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se falë konsistencës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dialogu i ndërtuar mbi parimet e barazisë dhe reciprocitetit i zhvilluar së fundmi në Bruksel, avancon pozitën tonë.
“Përfaqësimi ynë si shtet tani po ndërton një standard të ri. Reciprociteti në dokumente identifikuese në vendkalimet kufitare është një kapërcim i madh, ndërsa inferioriteti karshi Serbisë i takon të kaluarës, tashmë jemi palë të barabarta në dialog”, ka shkruar Hyseni në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se: “Qeveria Kurti me seriozitetin më të madh i qaset çdo çështjeje që prek interesat shtetërore dhe qytetare”.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.
Krerët në Kosovë thanë se reciprociteti është thelbi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ndërkaq zyrtarët serbë nënvizuan se kjo marrëveshje nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.