
Kryetari i komunës së Gjilanit ndan mbi 157 mijë euro për ekskursionin e nxënësve
Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka ndarë mbi 157 mijë euro nga buxheti komunal për organizimin e ekskursionit për 1,161 nxënës të shkollave të mesme të komunës.
Ky vendim ka nxitur reagimin e kryetarit të PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, i cili e ka cilësuar këtë veprim si keqpërdorim të thellë dhe të pajustifikuar të buxhetit të komunës.
Sipas Rashitit, kjo shpërndarje e mjeteve nuk ka qenë pjesë e ndonjë propozimi të miratuar nga Kuvendi Komunal dhe sipas tij, nuk është planifikuar në buxhetin e këtij viti.
“Është paradoksale që i njëjti kryetar që vitin e kaluar anuloi ekskursionin për nxënësit duke përmendur si arsye rritjen e rasteve me dukuri negative si përdorimi i substancave narkotike, pijeve alkoolike dhe dhunës, këtë vit papritmas i konsideron të gjitha këto probleme si të zgjidhura plotësisht,” tha Rashiti.
Ai shtoi se sot pritet të bëhet publik emri i operatorit ekonomik që do ta fitojë tenderin për organizimin e ekskursionit, por sipas tij gjithçka është “e kurdisur” dhe e dirigjuar nga kryetari Hyseni.
Në anën tjetër, ndaj kësaj situate ka reaguar edhe zëdhënësja e LDK-dega në Gjilan, njëherit edhe asambliste e Kuvendit Komunal, Gresa Avdiu, e cila poashtu e cilësoi të paplanifikuar këtë buxhet.
“ vit paska kapacitete për organizim të duhur, nuk paska dukuri negative nga maturantët, madje paska edhe buxhet, përkundër që nuk ka qenë i planifikuar me kohë, e as i votuar?!”, shkroi ajo.