Kryetari i PDK-së: Lavdi përjetshme për viktimat e masakrës së Dubravës, drejtësia ende mungon

23 maj 2025 | 10:14

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar sot 24-vjetorin e njërës prej ngjarjeve më të errëta të historisë sonë të re – masakrën në Burgun e Dubravës, ku nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999, forcat kriminale serbe masakruan mizorisht 117 të burgosur shqiptarë dhe plagosën mbi 200 të tjerë.

Krasniqi tha se kjo masakër, ashtu si edhe shumë krime të tjera të kryera ndaj popullit të Kosovës, përbën një dëshmi të qartë të gjenocidit të planifikuar nga regjimi serb ndaj popullatës shqiptare.

Ai theksoi se kujtimi i kësaj tragjedie na rikujton çmimin e lartë të lirisë që e gëzojmë sot dhe domosdoshmërinë për të mos e harruar kurrë sakrificën.

“Me dhembje të madhe përkujtojmë 117 të burgosurit shqiptarë që u vranë në mënyrë çnjerëzore nga regjimi serb. Nderojmë të gjithë të mbijetuarit e kësaj masakre, që patën forcën të dëshmojnë për tmerrin e përjetuar dhe t’i tregojnë botës së vërtetën e dhimbshme të Dubravës”, u shpreh Krasniqi.

Ai theksoi se më e pakta që mund të bëhet është që autorët e kësaj masakre të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

“Mungesa e drejtësisë për viktimat e Dubravës është një plagë e hapur për Kosovën. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi – jo për hakmarrje, por për të vërtetën dhe për të ardhmen”, përfundoi Kryetari i PDK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, takoi mbrëmë në një darkë…