Kryetari i veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale
Në një lidhje “live” për “Euronews Albania” me gazetarin Thimi Samaraxhiu, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka dhënë më shumë detaje lidhur me debatin për Dritan Goxhajn dhe dokumentet e publikuara nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur për autenticitetin e tyre dhe rolin e Goxhajt gjatë luftës së UÇK-së.
Sipas Gucatit, firma në dokumentin e publikuar nga kryeministri Rama është origjinale dhe i përket komandantit Xheladin Gashit, i njohur si “Komandant Plaku”. Ai ka theksuar se Dritan Goxhaj nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
“Po, duke njohur firmën e komandant Plakut, pasi atë e ka njohur personalisht edhe komanda, por edhe familjen e tij e njoh personalisht, firma është origjinale. Edhe e Xheladin Gashit është origjinale”, ka thënë Gucati.
Ai ka shtuar se e ka lexuar dhe parë përmbajtjen e dokumentit, ndërsa ka insistuar se firma i përket komandant Plakut, i cili, sipas tij, e ka nënshkruar në atë kohë në territorin e Shqipërisë.
“Unë Dritan Goxhajn e kam njohur vonë. Babain e tij e kam njohur më herët”, ka deklaruar ai.
Gucati ka kërkuar nga Goxhaj që të sqarojë publikisht përfshirjen e tij gjatë luftës.
“Dritan Goxhaj është mirë të dalë e të deklarojë se në cilën zonë operative ka qenë në luftë, në cilën brigadë ka qenë dhe çfarë ka vepruar në territorin e Kosovës apo të Shqipërisë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Gucatit, Goxhaj nuk është pjesë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
“Për Dritan Goxhajn vetëm një gjë mund t’ju them 100 për qind: Dritan Goxhaj nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës. Nuk ka dokumentacion, nuk ka certifikatë të veteranit, nuk ka letërnjoftim tek ne, nuk ka aplikacion dhe nuk ka kartelë të veteranit”, ka deklaruar Gucati.



