
Kryetarja e AGK-së kërkon nga LV-ja dhe LDK-ja t’i trajtojë dinjitetshëm gazetarët
Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Gentiana Begolli, ka reaguar ndaj trajtimit të gazetarëve dhe xhirueseve gjatë përcjellës se takimeve në mes të Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për çështjen e koalicionit qeverisës.
Ajo ka kërkuar që urgjentisht të merren masa në mënyrë që gazetarët të trajtohen dinjitetshëm.
“Tërësisht e papranueshme, jo korrekte, jo profesionale, për më tepër edhe jo humane, trajtimi i gazetarëve dhe xhiruesve gjatë përcjelljes së takimeve në mes LV e LDK. Përderisa këto takime zgjasin me orë të tëra, gazetarët janë të detyruar të qëndrojnë jashtë, në temperatura të ulëta. Kërkojmë që urgjentisht të merren masa që kolegët tonë të trajtohen me korrektësi, në mënyrë dinjitoze dhe mos të vazhdoj edhe më tutje ky trajtim jo human. Nëse gazetarët e xhiruesit do të vazhdojnë edhe me tutje të ballafaqohen me këtë trajtim, ne si AGK do të kërkojmë nga kolegët tonë bojkotimin e përcjelljes së takimeve, ku anëtarët e komunitetit tonë shpërfillen dhe pengohen në kryerjen e detyrës së tyre”, ka shkruar Begolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/