Kryetarja e Preshevës konfirmon se nesër ka seancë për shkarkimin e saj

10 prill 2022 | 18:51

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka konfirmuar se për ditën e nesërme është thirrur seancë e jashtëzakonshme për shkarkimin e saj.

Përmes një postimi në Facebook, Sinani thotë se nesër do të udhëtojë për në Prishtinë për takim me kryeministrin Albin Kurti.

Andaj Sinani kërkon që të shtyhet seanca për një kohë më të përshtatshme, meqë është e pamundur të jetë e pranishme fizikisht në ora 10.00 në Preshevë.

“Siç e dini, kryetari i Kuvendit të Preshevës, z.Sami Salihu, në bazë të kërkesës së këshilltarëve të opozitës, ka ftuar për nesër, ditën e hënë, me fillim në ora 10:00, seancë të jashtëzakonshme, me pikë të vetme të rendit të ditës: Shqyrtimi i propozimit për shkarkim të Kryetares së Komunës së Preshevës”, shkruan ajo.

“Duke qenë se si përfaqësues politikë nga Lugina e Preshevës jemi të ftuar nesër në takim në Prishtinë, në ora 8.00, nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, ku kam konfirmuar pjesëmarrjen time, njoftoj opinionin publik se së bashku me z.Munir Rexhepi, Shef i Grupit të Këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik në Kuvendin Komunal të Preshevës, kemi kërkuar sot nga kryetari i Kuvendit Komunal z.Sami Salihu, që ta shtyjë seancën për një kohë më të përshtatshme, meqë është e pamundur të jem e pranishme fizikisht në ora 10.00 në Preshevë. Besoj në mirëkuptimin e kryetarit të Kuvendit, z.Sami Salihu, por edhe në përkrahjen e Këshilltarëve të tjerë Komunalë, për ta mundësuar praninë time në seancën ku është inicuar shqyrtim-propozimi për shkarkimin tim”, përfundoi ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 600 persona, simpatizantë të Rusisë, dhe një karvan me…