
Kryeziu: Bllokada institucionale s’ka të bëjë as me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, duke iu referuar bllokadës në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se kriza në thelb është veç për një çështje: “A do të jetë Albin Kurti kryeministër edhe për katër vitet e ardhshme?”.
“Prandaj, kriza reale politike nuk është vetëm çështje procedurash, por përballje me një dilemë politike që kërkon një kompromis të pashmangshëm. Dhe pyetja është: A do të ndodhë ky kompromis tani, për të parandaluar thellimin e krizës, apo më vonë, kur çdo zgjidhje do të vijë si pasojë e dëmit të kryer?”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Bllokada institucionale që po zhvillohet aktualisht në Kosovë nuk ka të bëjë as me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, as me votimin e fshehtë. Këto janë vetëm shenja të jashtme të një krize politike shumë më të thellë, e cila po përshkallëzohet përditë. Gjithçka që po ndodh sot, është pjesë e strategjive për të zvarritur kohën dhe për të shmangur të përballen me krizën reale thelbësore.
Në thelb, kriza që ndan sot spektrin politik në Kosovë është kjo: A do të jetë Albin Kurti kryeministër edhe për katër vitet e ardhshme? Për opozitën, përgjigjja është e qartë: Jo e për Vetëvendosjen, po.
Prandaj, kriza reale politike nuk është vetëm çështje procedurash, por përballje me një dilemë politike që kërkon një kompromis të pashmangshëm. Dhe pyetja është: A do të ndodhë ky kompromis tani, për të parandaluar thellimin e krizës, apo më vonë, kur çdo zgjidhje do të vijë si pasojë e dëmit të kryer?