Kryeziu: Kandidatët e rinj dhe gratë më të disavantazhuarit në zgjedhjet e 7 qershorit

13 maj 2026 | 14:13

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se për kandidatët që hyjnë për herë të parë në garën zgjedhore dhe që nuk kanë profil të lartë publik, sfida është dukshëm më e madhe.

“Zgjedhjet e parakohshme gjithmonë janë disavantazh për ta. Brenda një kohe shumë të shkurtër duhet të krijojnë profil publik, të shpalosin mendimin ose ofertën e tyre politike dhe të ndërtojnë besim elektoral te qytetarët”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”.

Gjithashtu, ai ka thënë se kategoria tjetër që më së shumti është në disavantazh në këto cikle të shpejta zgjedhore janë gratë.

“Përveç konkurrencës politike, ato shpesh përballen me më pak hapësirë mediale, më pak mbështetje strukturore dhe financiare, me gjuhë diskriminuese dhe me standarde më të ashpra të gjykimit publik. Këtë garë të pabarabartë e thellon edhe më shumë sistemi aktual zgjedhor, ku Kosova trajtohet si një zonë e vetme zgjedhore”, është shprehur Kryeziu, duke shtuar se ndarja në zona zgjedhore do të ishte një zgjidhje më e drejtë, sepse, sipas tij, do të krijonte përfaqësim më kualitativ, më shumë mundësi për kandidatë të rinj dhe lidhje më të drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve politikë dhe votuesve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti të mërkurën takimin…