Kryeziu: KQZ-ja ka marrë masa për të garantuar numërim më të drejtë të votave
Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim ka vlerësuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë herë pritet të jetë më efikas në garantimin e integritetit të votës.
Duke iu referuar parregullsive dhe manipulimeve me vota në zgjedhjet e fundit nacionale, Kryeziu tha se KQZ-ja ka identifikuar disa masa shtesë që, sipas tij, mund të rrisin besimin në procesin zgjedhor.
“Janë dy-tre elemente që KQZ ka arritur t’i gjejë nga ky proces që ka ndodhur. Shtimin e numrit të tavolinave, hapja dhe mundësia e bërjes publike të kamerave dhe mbikëqyrja që bëhet nga KQZ në atë proces. Besoj se janë ndërmarrë masa të reja nga KQZ që do të garantojë që vota e secilit kandidat të numërohet drejt”.
Ai shtoi se Demokracia në Veprim këtë herë do ta monitorojë edhe procesin brenda qendrave përkatëse, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara.
“Ne si DnV, në zgjedhjet e kaluara nuk e kemi monitoruar procesin e QNR-ve, por tani do të kemi rreth 100 vëzhgues në monitorimin e procesit të përgjithshëm brenda qendrave”, shtoi Kryeziu.



