Kryeziu: Një nga çështjet më pak të rregulluara të procesit zgjedhor është financimi dhe shpenzimi i financave nga kandidatët
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se një nga çështjet më pak të rregulluara dhe më pak të diskutuara të procesit zgjedhor është financimi dhe shpenzimi i financave nga kandidatët.
Ai ka theksuar se partitë politike dorëzojnë raporte formale të financimit dhe shpenzimeve, por problemi që e deformon garën dhe cenon integritetin zgjedhor ndodh jo më pak, është financimi dhe shpenzimi individual i kandidatëve, i cili pothuajse nuk raportohet fare.
“Duke i ikur çdo kontrolli e transparence të nevojshme, financat dhe e shpenzimet e kandidatëve nuk i nënshtrohen fare raporteve formale të partive politike. Kjo krijon pabarazi serioze në garë”.
“Kandidatët me mundësi më të mëdha financiareve blejnë më shumë shërbime marketingu, më shumë vizibilitet dhe krijojnë më shumë akses tek strukturat partiake dhe kështu e rrisin shansin për t’u zgjedhur, jo përmes besimit të qytetarëve, por përmes buxhetit të tyre personal”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”.
Ai ka shtuar se më së shumti këtu pësojnë kandidatet gra dhe kandidatët me më pak qasje në strukturat partiake.
“Për shumë kandidate gra, qasja në biznese, mbështetje financiare individuale dhe rrjetet e ndikimit në parti është shumë më e vështirë. Ato futen në garë me kapacitete më të ulëta financiare dhe me më pak mbështetje logjistike krahasuar me kandidatët burra. Kështu, financat jo vetëm që përcaktojnë kush hyn në garë, por shpesh përcaktojnë edhe kush e fiton garën, duke dëmtuar barazinë, duke cenuar besimin e qytetarëve dhe duke dëmtuar integritetin e procesit zgjedhor”, ka deklaruar ai.
Kryeziu ka theksuar se zgjedhjet e drejta dhe të ndershme kërkojnë transparencë jo vetëm te partitë politike, por transparencë dhe kontroll real dhe mbi financimin edhe shpenzimin e kandidatëve.



