
Kryeziu për deklaratat e Kurtit ndaj ShBA-së: Goditje ndaj sovranitetit dhe cenim i aleancës strategjike
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu ka reaguar pas deklaratave të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili sipas tij ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) se po veprojnë kundër sundimit të ligjit në veri të Kosovës dhe po kërkojnë “kusuritje” politike me Serbinë dhe Rusinë në kurriz të Kosovës.
Kryeziu ka theksuar se këto deklarata nuk i shërbejnë as forcimit të shtetit, as interesit kombëtar, por vetëm kalkulimeve të ngushta të një lideri që konfrontimin brenda dhe jashtë vendit, e sheh si mundësi elektorale.
“Për më shumë se 25 vjet, ShBA-ja ka qenë garancia kryesore për sundimin e ligjit në veri, si dhe për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Tani, një kandidat për kryeministër akuzon pikërisht këtë aleat strategjik si kundërshtar të këtyre parimeve”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”.
Sipas tij, një qasje e tillë përbën një cenim të drejtpërdrejtë të marrëdhënieve strategjike me ShBA-në dhe në thelb është një goditje ndaj integritetit të vetë shtetit të Kosovës.