Kryeziu për Dimal Bashën: Edhe sikur të zgjidhej kryetar Kuvendi, nuk mund të bëhej u.d i Presidentit

24 gusht 2025 | 18:39

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka komentuar debatet e fundit rreth mandatit të Presidentit të Kosovës, duke e quajtur të pasaktë idenë se Kryetari i Kuvendit, në këtë rast deputeti Dimal Basha, nëse do të votohej për kryetar Kuvendi, do të bëhej automatikisht ushtrues detyre i Presidentit pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh një kalim të tillë automatik të kompetencave.

“Edhe nëse Basha do të zgjidhej Kryetar i Kuvendit, ai nuk mund të bëhej ushtrues detyre i Presidentit vetëm mbi bazën e kësaj pozite”, ka theksuar Kryeziu.

Ai ka kujtuar se Kushtetuta (neni 90) rregullon vetëm rastin kur Presidenti përkohësisht nuk mund ta ushtrojë funksionin, dhe atëherë detyrat kalojnë te Kryetari i Kuvendit vetëm përmes një dekreti presidencial ose me votim të dy të tretave të deputetëve. Por, sipas tij, Kushtetuta mbetet e heshtur për rastet kur Presidenti jep dorëheqje, i skadon mandati apo ndërron jetë, pa qenë i zgjedhur pasuesi i tij.

Në këtë kontekst, Kryeziu paralajmëroi se më 7 prill 2026, kur skadon mandati i Presidentes Vjosa Osmani, Kosova mund të përballet me një situatë të jashtëzakonshme: vendi do të ketë një Qeveri në detyrë, por as Kuvend funksional, as President dhe as ushtrues detyre të tij.

“Me shpërndarjen e Kuvendit pushon së ekzistuari edhe mandati i Kryetarit të Kuvendit. Pas kësaj date, Dimal Basha apo kushdo tjetër që mund të ketë qenë Kryetar Kuvendi, nuk është më zyrtar publik, por qytetar i thjeshtë”, ka theksuar ai.

Kryeziu e cilësoi këtë zbrazëti juridike si një problem të madh për shtetin dhe tha se zgjidhja qëndron te ndryshimi i Ligjit për Presidentin e Republikës, ku duhet të përcaktohet qartë vijimi i suksesionit në rastet kur funksioni i Presidentit mbetet vakant.

“Ky ndryshim ligjor është domosdoshmëri dhe interes madhor shtetëror. Shteti nuk guxon të jetë improvizim apo eksperiment”, ka përfunduar ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese./Periskopi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pesë shoferë janë ndëshkuar në rajonin e Ferizajt të dielën…