Kryeziu: Presidentja duhet të ndërhyjë pas bllokadës së vazhdueshme institucionale

05 maj 2025 | 17:59

Pas dështimit të njëmbëdhjetë radhazi për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, profesori i së drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu, theksoi nevojën për ndërhyrje nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas Kryeziut, është koha që presidentja të marrë një rol më aktiv duke ftuar partitë politike në një proces të harmonizimit të qëndrimeve për të mundësuar formimin e institucioneve të reja.

“Kjo mund të vazhdojë kështu deri në fund, por është një situatë në të cilën presidentja e Kosovës ka për detyrë të ndihmojë krijimin e institucioneve. Ajo duhet t’i thërrasë partitë politike për të harmonizuar qëndrimet dhe për të krijuar qeverinë. Për momentin jemi në një boshllëk institucional, sepse nuk funksionon as Parlamenti dhe as Qeveria – kjo e fundit është në detyrë. Në aspektin kushtetues, presidentja ka për detyrë të thërrasë subjektet politike për harmonizim qëndrimesh dhe krijimin e qeverisë. Por ajo ka edhe një mundësi tjetër – neni 113, pika 3 dhe 5 i Kushtetutës i jep të drejtë që të bëjë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar nëse po shkelet apo jo Kushtetuta gjatë këtyre procedurave. Kjo situatë ka zgjatur shumë, është bërë një lloj absurditeti dhe gjendje depresioni për shoqërinë dhe votuesit. Presidentja duhet të jetë në nivel të detyrës dhe të angazhohet në mënyrë maksimale. Kur kemi hartuar Kushtetutën kemi lënë një afat pesëvjeçar për mandatin presidencial, duke pasur parasysh se mund të ndodhin situata të tilla. Ajo ka afatin, legjitimitetin dhe legalitetin për të ndërhyrë, sepse është përfaqësuese e unitetit të popullit dhe faktor i unitetit kombëtar,” tha ai për KP.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një dështim serioz institucional në përballjen me Ethet Hemorragjike –…