
Kryeziu: Rreth 99% e kryetarëve aktualë pritet të hyjnë në balotazh
Ismet Kryeziu nga KDI, ka thënë se rreth 99% e kryetarëve aktualë pritet të hyjnë në balotazh, dhe në shumicën e komunave të dalin kandidatët më të votuar.
Ai ka shkruar në “Facebook” se nëse në zgjedhje duhet të ndihet një frymë zgjedhore, qoftë ajo e mbajtjës së pushtetit apo e ndryshimit dhe ardhjes në pushtet, zakonisht vërehet qartë dhe nga secili. Por, sipas tij, këtë herë, fryma e rotacioneve politike po duket se mungon.
“Përveç dy a tre komunave ku ka përplasje brenda të njëjtit krah politik, nuk po shihet ndonjë energji qytetare për ndryshim të pushteteve lokale”, ka shkruar Kryeziu.
Ai ka thënë se fushata po zhvillohen më shumë në nivel rutinor, me kandidatë që përsërisin çasjet e njohura dhe me votues pa ndonjë energji zgjedhore.
“Prandaj, rreth 99% e kryetarëve aktualë pritet të hyjnë në balotazh, dhe në shumicën e komunave të dalin kandidatët më të votuar. Madje edhe sfidantët kryesorë, ata që do të përballen me ta në raundin e dytë, besoj se tashmë janë të ditur në shumicën e komunave”, ka thënë ai.
Sipas tij, në këto kushte, gjasat janë që vetëm balotazhi të krijojë një energji të re zgjedhore, atë momentin kur fryma zgjedhore ngjallet. “Deri atëherë, gjithçka duket më shumë si një përgatitje e qetë për fazën e dytë, sesa si një garë që po frymëzon qytetarët”, ka shkruar Kryeziu.