
Kthimi i trishtuar i Interit, në aeroport e pret veç një tifoz: Jam i vetmi budalla këtu…
Dita pasardhëse dhemb edhe më shumë. Sepse vjen pikërisht momenti i gjykimeve, i akuzave, mendimi për atë që mund të kishte qenë kthim në Milano si kampionë të Europës përballë realitetit të një disfate që nuk mund të ishte më e rëndë.
Nga ëndrra në makth. Në aeroportin e Malpensës, në mbërritjen e skuadrës zikaltër nga Mynihu, dje rreth mesditës, për të pritur Lautaron dhe shokët e tij ishte vetëm një tifoz. “Jam i vetmi budalla këtu…, – përsërit i dëshpëruar Marco, pas humbjes 5-0 ndaj PSG-së, – por këta djem gjithsesi e meritojnë një duartrokitje”.
Autobusi zikaltër mbërritin mes Terminalit 1 dhe Terminalit 2 të aeroportit të Malpensës, aty ku zbresin ‘charterët’ dhe fluturimet private, shumë përpara kohe. Përveç disa dhjetëra makinave të policisë, gati për t’i shoqëruar, aty mbretëronte boshllëku.
Pendesa e skuadrës dhe tifozëve del në pah sapo mendja kthehet tek ajo që mund të kishte ndodhur; një zbritje me ‘kupën veshëgjatë’, përballë realitetit të hidhur që është sot. Zemërim, zhgënjim dhe frustrim janë ndjenjat që lexohen më së shumti në fytyrat e të gjithë anëtarëve të Interit, nga Inzaghi dhe Farris te Lautaro, Calhanoglu e Acerbi.
I pari që doli nga aeroporti ishti de Vrij, pastaj të gjithë radhazi. I fundit, Acerbi. Disa hapa të rëndë midis daljes nga terminali dhe hyrjes në autobus. Nuk dëgjohej as zhurma e një mize; askush nuk fliste, askush nuk ngrinte kokën, të gjithë me sytë poshtë.
I vetmi që bëri një përshëndetje ishte Acerbi, në çastin e fundit para se të hipte në autobus. Thuram, i thirrur nga pak tifozë që kishin ardhur më vonë, as që e ngriti dorën. Edhe Inzaghi bëri të njëjtën gjë; eci drejt, me kokën ulur dhe asgjë më shumë. Kush e di, ndoshta ishin hapat e tij të fundit si trajner i Interit. Sigurisht, ishin hapat më të hidhur nga të gjithë…