
KU SHKONI ZOGJ
15 gusht 2021
| 23:39
Syhejl Havolli
Ku shkoni zogj ku shkoni
Ku është dashuria
Në ç’shkretëtirë netësh
Ju ndjell ai kujtimi
Do të kem edhe unë në qiell
Një udhë dëshpërimi
Do të kem edhe unë
Shtegtimin e vjeshtave të mia
Ku shkoni zogj ku shkoni
Ku është dashuria
Në ç’rrugë nëpër qiell
Do shkoja të kërkoja
Cili yll për dore
Do më merrte mua
O ti rrugë e qumështit
I piva gjinjtë e tua
Dhe ika prapë më tej
Të gjeja atë që doja
Në ç’rrugë nëpër qiell
Do shkoja të kërkoja.
15 gusht 2021