Kuçi: Për BE-në jemi interesant si punëtorë, ajo nuk na sheh si qytetarë

08 dhjetor 2020 | 17:18

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi ka thënë se qytetarët e Kosovës i marrin lehtë dhe shpejt viza vetëm kur i duhen Evropës si fuqi punëtore.

Ajo është shprehur se BE-ja nuk i sheh kosovarët si qytetarë por si punëtorë.

“Parave të Kosovës nuk iu kërkon kush viza. Qytetarëve po. Mallrat evropiane e kanë derën hapur këtu. Paratë e Kosovës lëvizin lirshëm po ashtu drejt Evropës”, ka shkruar Kuçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kuçit:

Ambasadori gjerman në intervistën e dhënë për Express na e kujtoi një çështje që gati e kishim harruar: Kosova s’ka pse kërkon liberalizim vizash.

Parave të Kosovës nuk iu kërkon kush viza. Qytetarëve po. Mallrat evropiane e kanë derën hapur këtu. Paratë e Kosovës lëvizin lirshëm po ashtu drejt Evropës.

Siç duket, ato janë mjaft evropiane, i kanë plotësuar kriteret. 50 për qind të shumës së përgjithshme të importit në Kosovë vjen nga BE. Shifrat nga Agjencia e Statistikave tregojnë për 12 miliardë euro vlerë që Kosova i ka dërguar ndër vite. 1.7 miliard ishte viti i fundit, përkundër 138 milionëve që kemi eksportuar. 12 me 1 është bilanci negativ tregtar.

Qytetarët e Kosovës marrin lehtë e shpejt viza kur i duhen Evropës si fuqi punëtore. 140 mijë euro llogaritet të kushtojë përgatitja për një mjek të përgjithshëm në Kosovë. Mbi 200 mijë një specialist. Kostoja gjermane është shumë herë më e madhe. Por Gjermania i merr falas, pa asnjë kosto. Me vizë e pa vizë, mjekë, infermierë, inxhinierë, punëtorë të IT të përgatitur nga sistemi i varfër i Kosovës pa asnjë kosto po i shkojnë sistemit të pasur gjerman.

Ky është momenti për të thënë: Ikja e trurit është shfrytëzim.

Për Bashkimin Evropian mund të jemi “interesant” si punëtorë, nuk jemi të këqij as si konsumatorë. Por nuk na shohin dot si qytetarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha e ka lënë…