Kuçi paralajmëron se do të ketë mbikëqyrje të rreptë për hidrocentralet
Lëvizja FOL me mbështetjen e Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (Advocacy Training and Resource Center – ATRC) kanë organizuar diskutimin FOL Hapur për Hidrocentralet.
Temë diskutimi në këtë forum ishte shfuqizimi i vendimit të ministrisë për moratorium në ndërtimin e hidrocentraleve dhe konsultimet me publikun për çështjet e kësaj natyre deri më tani.
Panelistë në këtë diskutim ishin ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, Hajrulla Çeku dhe Eliza Hoxha, kryesuese e Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve.
Ministri Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka thënë se baza ligjore për hidrocentralet ka të bëjë me Ligjin për Ujëra dhe Energjinë si dhe dokumentet që votohen nga Qeveria. “Deri më tash nuk kam parë ndonjë vendim nga Qeveria për ndaljen e punimeve të hidrocentraleve, përjashto vendimin që ka marrë ish-ministrja e fundit, por që këtë e ka bërë për shkak të pandemisë”, ka thënë ai.
Kuçi ka bërë me dije se Qeveria ka hartuar planin për rishikim të projekteve dhe se do të ketë mbikëqyrje të rreptë.
Ai ka mirëpritur themelimin e Komisionit hetues nga Kuvendi i Kosovës për këtë çështje. “Kosova ka nxitur prodhimin e energjisë së ripërtërishme ku hyjnë edhe hidrocentralet. Një defekt që kam parë është se procedurat e rrepta të mbikëqyrjes së këtij procesi nuk janë respektuar sa duhet. Ne jemi duke shikuar që këto procedura të mbikëqyrjes t’i bëjmë më të rrepta”, ka thënë ai.
Kuçi ka shtuar se nuk mund të ndalet në tërësi procesi i ndërtimit të hidrocentraleve, por ka theksuar se do të ketë ndryshim të strategjisë.
Ai ka vlerësuar se në bazë të lëvizjes së trendëve, mund të mos ketë nevojë për prodhimin e energjisë nga hidrocentralet. “Trendët janë duke shkuar që mos të kemi nevojë të energjisë nga uji, por nuk mund ta ndalim në tërësi. Jemi duke shikuar strategjinë dhe së shpejti do të dalim me një vendim”, është shprehur ministri Kuçi.
Duke folur për rastin në Deçan, ka thënë se kjo çështje është në procedurë hetimore dhe ende nuk janë lëshuar lejet e duhura për ta konsideruar këtë çështje si të përfunduar.
Ministri Kuçi ka theksuar së në vazhdën e ruajtës së ambientit, së shpejti në Qeveri do ta dërgojnë rregullatorin për Parkun Nacional të Bjeshkëve të Nemuna. “Për planin hapësinor për Bjeshkët e Nemuna, kemi diskutim me banorët dhe komunat përreth ku kemi marrë sugjerimet e tyre dhe ne do ta dërgojmë në Qeveri rregullatorin për Parkun e Bjeshkëve të Nemuna”, u shpreh ministri Kuçi.
Ndërsa deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku ka thënë se me resurset zhvillimore të Kosovës është abuzuar në vazhdimësi, qoftë me zonat urbane në kuptimin e ndërtimit e pastaj edhe me vendet malore. “Ka numër shumë të madh të hidrocentraleve të ndërtuara dhe në ndërtim e sipër dhe nuk ka kontroll mbi punën e tyre, ka dyshime të panumërta për shkelje kryesisht ligjore procedurale”, ka thënë ai.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka thënë se i gjithë investimi i mëhershëm është bërë vetëm në hidrocentrale dhe vonë ka nisur në mënyra të tjera të prodhimit të energjisë alternative. “Është bërë një investim i shpejtë, mos të them i pamatur, ndoshta i pastudiuar mirë. Në procesin e licencimit apo dhënies së lejes apo pëlqimeve mjedisore si duket procedurat janë kryer në kuptimin e letrave por ne sot i shohim që nuk janë të kryera siç duhet”, ka thënë deputetja Hoxha.



