Kufiri i Kosovës me Serbinë ndan Perëndimin me Lindjen
Shkruan: Prof. Ass. Dr. Sabri Kiçmari
Incidenti i hyrjes së trupave serbe në fshatin Karaqevë të Kamenicës shtron nevojën për një analizë më të thelluar të pozitës gjeostrategjike të kufirit të Kosovës me Serbinë.
Pozita gjeografike e Republikës së Kosovës është mjaft komplekse. E gjendur në zemër të Evropës Juglindore (që padrejtësisht quhet Ballkan), Republika e Kosovës kufizohet nga tri vende anëtare të NATO-s: nga Shqipëria në jug dhe jugperëndim, nga Mali i Zi në perëndim, si dhe nga Maqedonia në juglindje. Me të tri këto vende fqinje Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të mira dhe ndan një numër vlerash të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe orientimit euro-atlantik. Por, në pjesën më të madhe të kufijve të saj, në veri dhe lindje, Republika e Kosovës kufizohet me Republikën e Serbisë, me të cilën nuk i ndan të njëjtat vlera në fushën e sigurisë dhe nuk ka orientim identik euro-atlantik.
Në fakt, kufiri verior dhe lindor i Kosovës sot i ndan dy trende gjeostrategjike në fushën e sigurisë: Lindjen me Perëndimin. Në rrafshin gjeostrategjik, Kosova është në një situatë identike me Gjermaninë dhe Austrinë në kohën e Luftës së Ftohtë. Serbia ka një orientim lindor në fushën e
sigurisë. Ajo bashkëpunon ngushtë në fushën ushtarake dhe të industrisë së armatimit me Rusinë dhe Belorusinë.
Gjatë vizitës së tij në Beograd, në janar të vitit 2019, presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se “Serbia është partneri strategjik i Rusisë në Ballkan.” Serbia ka blerë dy helikopterë ushtarak rusë Mi17 për 25 milionë euro, kurse në dhjetor 2016, Qeveria serbe pati nënshkruar një marrëveshje për ndihmë ushtarako-teknike me Rusinë, si rezultat i së cilës përfitoi gjashtë avionë luftarak Mikoyan MiG-29, 30 tanksa moderne T-72 dhe 30 automjete të blinduara BRDM-2. Rusia e ka furnizuar Serbinë me armë radio-elektronike Pishchal dhe komplekse radio-elektronike fikse Taran. Gjatë ushtrimeve luftarake Rusi-Belorusi-Serbi është furnizuar me makinerinë luftarake Chaborz M-3. Presidenti serb Vuçiq, duke u fotografuar pranë aeroplanëve luftarak pati deklaruar plot emocion se “kam qarë kur pashë dhe dëgjova zhurmën e tyre.”
Qeveria e Serbisë ka zgjedhur edhe një adresë tjetër joperëndimore për bashkëpunim në fushën e sigurisë: Republikën Popullore të Kinës. Është njoftuar se Serbia ka blerë nga Kina dronë të armatosur zbulues CH-92A dhe raketa ajër –tokë 18 FT-8C. Është hera e parë që Kina eksporton pajisje të tilla ushtarake në një vend evropian.
Serbia është i vetmi vend në rajon që ka refuzuar të aplikojë sanksione kundër Rusisë pas cenimit të integritetit territorial të Ukrainës dhe pushtimit të Krimesë në vitin 2015. Ajo organizon ushtrime ushtarake me Rusinë dhe Belorusinë me një emërtim agresiv pansllavist “Vëllazëria Sllave.” Edhe në fushën ekonomike ndërthurja është e madhe: Kompania më e madhe serbe e naftës, Naftna Industrija Serbie, është blerë nga Gazpromi rus, i cili eksporton gazin e vet në Serbi.
Në rrafshin e organizimit të brendshëm shtetëror Serbia nuk ka arritur të etabloj sistemin demokratik sipas modelit perëndimor. Modeli serb është shndërruar në një model illiberal, të ngjajshëm me sistemin rus të Vladimit Putinit: Partia Progresive Serbe e presidentit serb Vuçiq, në zgjedhjet e 21 qershorit 2020, i fitoi mbi 60% të zgjedhjeve, në kohën kur opozita i bojkotoi zgjedhjet. Partia e dytë në radhë fitoi vetëm 10% të zgjedhjeve. Një rezultat tipik për një sistem autokratik, ku kontrollohen mediet, manipulohen zgjedhjet dhe frikësohet opozita.
Në fakt, Republika e Serbisë paraqet një paradoks të llojit të vet në Evropë: në njërën anë ka shpallur vullnetin për t’u pranuar në Bashkimin Evropian dhe në anën tjetër është në partneritet të ngushtë ushtarak me Rusinë. Është i vetmi vend, që përgjatë procesit të negocimit për pranim në BE, organizon ushtrime ushtarake me Rusinë dhe Belorusinë, blen armatim nga Rusia dhe ka hapur një Qendër Humanitare Ruso-Serbe, që në fakt është një qendër spiunazhi rus në Nish.
Para pak kohësh zyrtari i lartë i State Departamentit të ShBA, Hoyt Yee, pati paralajmëruar para Subkomitetit për Çështje të Jashtme të Senatit të ShBA-së se “nëse Serbia e lejon Rusinë të krijojë një qendër të tillë spiunazhi në territorin e saj, ajo do të humb kontrollin në një pjesë të territorit të saj.”
Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës është vetëm një nga shumë dimensione të orientimit të saj joperëndimor. Bashkëpunimi i ngushtë ushtarak në mes të Serbisë dhe Rusisë e ka vendosur Bashkimin Evropian në një pozitë tejet të palakmueshme: të distancohet për të pranuar në radhët e saj një vend me një lidhje kaq të ngushtë ushtarake me Rusinë, i cili e konsideron veten zonë ruse të influencës. Qeveria serbe po e shijon yshtjen e madhe të institucioneve të BE për ta shkëputur Beogradin nga Moska dhe orientuar atë drejt Brukselit. Kjo yshtje është paradoksale dhe instrumentale. Një mision i tillë është i pamundur.
Udhëheqësit e institucioneve të BE dhe vendet anëtare të BE duhet ta kuptojnë se orientimi i Serbisë drejt Bashkimit Evropian është një farsë, një lloj aktrimi. Baza e këtij interesimi, të shfaqur publikisht, është interesi ekonomik. Rusia nuk mund t’i ofrojë Serbisë, atë që i ofron BE dhe integrimi në BE, në fushën ekonomike dhe sociale: investimet dhe mbështetjen financiare dhe ekonomike. Por, Serbia ndan me Rusinë një aleancë tradicionale religjioze, politike, ushtarake dhe kulturore, e cila është shumë e fuqishme. Prandaj, vlerat politike demokratike evropiane nuk janë në akord me linjën politike të Republikës së Serbisë. Bashkimi Evropian do të gjendet i kurthuar thellë në paradoksin serb. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë duke vuajtur shumë nga ky paradoks. Ai nuk zgjidhet duke e lajmitur Serbinë.
Prandaj, ishte i vetëkuptueshëm miratimi, me të cilin Administrata e ShBA-së dhe e disa vendeve anëtare të NATO-s reaguan, kur më 14 dhjetor 2018 Parlamenti i Republikës së Kosovës votoi shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Ky akt duhet materializuar me veprime tjera konkrete. FSK duhet të përshpejtojë procesin e transformimit dhe marrjen e përgjegjësive që i takojnë. Një gjë e tillë duhet bërë në marrveshje dhe koordinim të plotë me NATO-n.
Politika e jashtme dhe politika e mbrojtjes së Republikës së Kosovës duhet t’a kenë parasysh faktin se Serbia po investon shumë në armatime. Këto tema duhet biseduar hapur dhe sinçerisht me partnerët tanë evro-atlantikë. Orientimi perëndimor i partive politike dhe shoqërisë së Kosovës, si vlerë e jashtëzakonshme, duhet ruajtur jo vetëm sa për formë, por edhe në përmbajtje. Është e domosdoshme që ky orientim të materializohet jo vetëm në rrafshin politik e ushtarak, taktik e strategjik, por edhe në atë kadrovik. Politikanët e vendit tonë duhet të kujdesen për gjuhën që përdorin në raport me BE-në, NATO-n, ShBA-të dhe Britaninë e Madhe. Ata janë aleatë tanë të natyrshëm dhe të tillë do të mbeten.
Pa marrë para sysh nëse fjala është për një incident provokimi, pasojat e një veprimi të tillë, të depërtimit të trupve serbe brenda territorit të Kosovës, më 7 gusht 20202, në rrafshin psikologjik, për banorët e Karaçevës dhe të gjitha rajonet kufitare të Kosovës me Serbinë janë të mëdha dhe reale. Në rrafshin ndërshtetëror veprimi i tillë është ndërhyrje agresive brenda territorit të një shteti tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të shfaqë pakënaqësinë e saj para vendeve mike dhe partnere. KFOR duhet të tregohet i vëmendshëm për të evituar provokime të tilla që ngjallin frikë dhe pasiguri. Policia e Kosovës, FSK dhe AKI duhet të jenë në gjendje të informohen me kohë dhe të marrin masa parandaluese kundër frikësimit të banorëve të rajoneve kufitare.