
Kufizimet e vendosura nga Specialja ndaj Thaçit, avokati Bajraktari: Përndjekje si në kohën e inkuizicionit, procesi jo normal
Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar ashpër ndaj kufizimeve dhe procedurave që po ndiqen ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke i krahasuar ato me përndjekjet e kohës së inkuizicionit.
“Kufizimet ndaj z. Thaçi janë jo proporcionale dhe të paarsyeshme, aq më tepër kur procedura në rastin e parë është drejt fundit, ndërsa në të dytin hetimet kanë përfunduar. Kjo tregon jo normalitetin e këtij procesi,” ka shkruar Bajraktari.
Ai ka deklaruar se në rastin e parë nuk është arritur të argumentohet pretendimi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mund të ishte “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, duke u mbështetur në dëshmi që i ka cilësuar si “shumë jo kredibile” dhe të pranuara nga një shtet që ka kryer gjenocid.
Sipas tij, përndjekja e këtij lloji, e njohur më shumë nga librat e historisë, po ndodh padrejtësisht ndaj “heronjve tanë”, duke pasur një peshë të rëndë që “i godet keq”.