Kujdes! Një tjetër lojë e rrezikshme po qarkullon në rrjetet sociale

10 gusht 12:57

Nuk ka kaluar shumë kohë kur loja e rrezikshme “balena blu” që përfundonte me vetëvrasje, u popullarizua së tepërmi dhe autorët synonin adoleshentët si targetgrup. Fatmirësisht, kjo lojë globale në rrjetet sociale e përhapur edhe në Shqipëri, u zbulua dhe krijuesit e saj u arrestuan.

Por, një tjetër lojë virtuale e ngjashme po qarkullon së fundmi. Një karakter kukull, i quajtur “Momo”, i përdorur në këtë lojë të re, synon fëmijët. Por si funksionon kjo lojë? “Momo” është një sfidë që inkurajon fëmijët të shtojnë një kontakt në Whatsapp. Ky kontakt i ri do t’u dërgojë vazhdimisht imazhe të dhunshme dhe hapi i fundit i lojës përfundon me vetëvrasje. Kjo lojë u krijua pas një fotografie të një skulpture femër që qarkullonte në internet.

Skulptura, me karakteristika groteske, u krijua nga një artist japonez i kukullave, Midori Hayashi. Kukulla “Momo” ka sy të mëdhenj, një karakteristikë kjo e dukshme. Pavarësisht krijimit të kësaj kukulle, artisti Midori nuk ka lidhje me këtë lojë të rrezikshme që qarkullon. Kjo sfidë që ka futur në “rrjetën e saj” tashmë fëmijë në SHBA, Argjentinë, Francë, Meksikë e Gjermani, mund të lidhet me vdekjen e një 12-vjeçareje nga Argjentina. Autoritetet e Buenos Aires po hetojnë lidhjen mes vdekjes së vajzës dhe kësaj loje të quajtur “Momo”.

Sipas mediave botërore, thuhet se 12-vjeçarja kishte postuar selfie duke bërë disa sfida përpara aktit të vetëvrasjes. Autoritetet e shteteve të tjera janë të shqetësuara për dëmet që mund të shkaktojë kjo lojë e re e rrezikshme, pasi vazhdon të qarkullojë në mediat sociale, si Whatsapp. Prindërit këshillohen që të kontrollojnë vazhdimisht telefonin dhe rrjetet sociale të fëmijëve të tyre. Nëse ju vjen një njoftim nga kjo lojë e quajtur “Momo” dhe me fotografinë e kësaj kukulle, refuzojeni! /tvklan.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
A e dini se kush është sportisti i tretë italian…