
Kujt i përket Kosova? Atij që dha gjithçka apo asaj që merr çdo gjë?
Shkruan: Astrit Gashi
Nuk ka asgjë më të shenjtë sesa të luftosh për çlirimin e vendit. Dhe jo të gjithë u kthyen nga mërgata për t’u bërë politikanë por disa u kthyen për të mbrojtur vendin me armë në dorë për të sjellur lirinë tonë kolektive. Agim Pllashniku i përket atij brezi që nuk e përdori kurrë emrin e luftës për përfitim, por e jetoi atë si amanet. Ai nuk është thjesht veteran i UÇK-së por është mishërim i ndërgjegjes kombëtare që refuzon të heshtë përballë rënimit moral të institucioneve.
Sot, ai dhe familja e tij janë shembull për Kosovën model i përulësisë, sakrificës dhe integritetit moral. Në një kohë kur politika përballet me krizën më të thellë të besimit, ai është zëri që na kujton se ideali i lirisë nuk vdes me armët, por me heshtjen ndaj padrejtësisë.
Pikërisht për këtë, reagimi i tij ndaj deputetes Fitore Pacolli nuk është mllef personal, por akt filozofik si një thirrje publike për t’i rikujtuar shoqërisë se nuk mund të ketë demokraci të vërtetë pa drejtësi, e as përfaqësim pa llogaridhënie. Hajdutet nuk duhet të kenë jetë publike!
Fitore Pacolli nuk është më një simbol i drejtësisë. Ajo është bërë fytyra publike e korrupsionit, e hajnive të sofistikuara dhe e shpërdorimit të pozitës shtetërore për përfitime personale. Përballë saj qëndrojnë raportime mediatike të shumta për:
– Keqpërdorime me mijëra euro nga fondet publike;
– Ndikim të paligjshëm mbi institucionet e shtetit për qëllime politike dhe personale;
– Kallëzime të rreme për të manipuluar opinionin dhe viktimizuar veten;
– Shpërndarje të paautorizuar të materialeve private, në kundërshtim me ligjin dhe etikën publike.
Por më rëndësishmja ajo mban mbi vete një aktakuzë për përfshirje në sulmin me mjet shpërthyes ndaj Kuvendit të Kosovës . Në çdo shtet normal, një deputet i tillë do të ishte subjekt hetimi dhe gjykimi të pavarur. Në Kosovën tonë, ajo shfaqet si viktimë, ndërsa organet e drejtësisë heshtin edhe kur ajo nuk paraqitet në gjykatë!
Ky nuk është dështim i thjeshtë. Është kapitullim i Policisë dhe Prokurorisë përballë krimit politik. E keqja nuk është më thjesht e pandëshkuar ajo mbrohet me uniformë dhe akt zyrtar. Një hajneshë me mandat gëzon paprekshmëri institucionale ndërkohë që qytetarët e zakonshëm ndëshkohen për gabimet më të vogla.
Në vend që të hetojnë, ata mbulojnë. Në vend që të veprojnë, ata heshtin. Dhe ajo heshtje është më e zhurmshme se çdo protestë. Është zhurma e një drejtësie që e ka humbur shenjtërinë e saj, e një shteti që u shërben të pushtetshmëve dhe jo të drejtëve.
Ndaj, zëri i Agim Pllashnikut ka rëndësi. Ai nuk kërkon ndëshkim ai kërkon drejtësi. Nuk kërkon linçim kërkon llogari. Ai është zëri i një pjese të popullit që ende e sheh Kosovën jo si një territor për pazare politike, por si një projekt etik që duhet të mbrohet nga ata që e poshtërojnë.
Kur heshtin institucionet, do të flasë ndërgjegjja. Dhe ndërgjegjja, këtë herë, ka emër: Agim Pllashniku.