
Kujt iu ndalua ta vizitojë Thaçin?
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për të vendosur kufizime në vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona, në çështjen kundër administrimit të drejtësisë.
Ndonëse Prokuroria ka kërkuar që vizitat të ndaloheshin për tre vëllezërit e Thaçit, kërkesa është miratuar vetëm për 11 të tjerë. Pra, vizitat janë ndaluar për Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër persona të tjerë emri i të cilëve është i redaktuar ngjashëm si i vëllezërve të Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Këto kufizime do të hyjnë në fuqi menjëherë pas njoftimit të këtij vendimi për z. Thaçi”, është thënë në vendim.
Vendimi është marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.
Prokuroria kërkesën e vet e ka arsyetuar me pretendime se këta persona kur kanë vizituar Thaçin më herët kanë folur me zë të ulët dhe i akuzuari iu ka dhënë udhëzime që t’i përcillnin tek dëshmitarët.
Ata kanë pretenduar se këta persona mund të ndalohen të vizitojnë Thaçin për arsye legjitime. Veç kësaj, edhe nëse iu ndalohet vizita tre vëllezërve të Thaçit, prokuroria ka thënë se i akuzuari i ka edhe dy të tjerë që mund ta vizitojnë.
Mbrojtja e Thaçit e kryesuar nga Sophie Menegon kishte thënë se kufizimet e kërkuara janë të panevojshme dhe cenojnë të drejtat themelore të Thaçit për jetën private dhe familjen.