KUJTESA E RRËFYER PËR PROMETHEIZMIN HISTORIK TË LUFTËS

30 maj 2022 | 16:26

Prend BUZHALA

(Bujar Shala: librit “KUJTESË E ZGJUAR – përmbledhje kujtimesh nga koha e luftës”, Lena, Prishtinë, 2022)

Kujtesa dhe zgjimi. Ja dy aspekte që shpalosin prirjet për rrëfim personal të librit “Kujtesë e zgjuar” të Bujar Shalës, me referencën tekstuale: “Përmbledhje kujtimesh nga koha e luftës”. Kujtesa ringjall përjetimet, ngjarjet e së kaluarës, kurse zgjimi i ripërtërin dhe i vë në lëvizje e i nxit ndjesitë dhe forcat e brendshme. Janë dy anë të një shkalle më të lartë të ndërgjegjësimit të qenies sonë. Mirëpo, vëllimi që kemi përpara, është jo vetëm shpalosje kujtimesh, por edhe shtjellim i tyre për një kohë që shënjon kthesë në historinë tonë më të re, atë të luftës çlirimtare e që kulmon me lirinë e Kosovës. Është një i ri që merr pjesë në protesta e demonstratat gjatë viteve ’90, i lë studimet për t’iu bashkëngjitur UÇK-së, merr pjesë në shumë beteja, plagoset në luftë dhe, bashkë me lirinë e Kosovës, vjen deri në kohën tonë.

1. Rrëfimi: Autor e protagonist në historibërjen dhe liribërjen e kosovës

Ishte i ri, kur Bujar Shalës iu desh ta përqafojë shkallën më të lartë të ndërgjegjësimit të kohës: atë të kyçjes në  ilegalen e armatosur që më 1997 dhe atë të luftës për liri,  në vitet 1998-99. Kësisoj, libri “Kujtesë e zgjuar”, na vjen në trajtën e rrëfimeve, përmes zgjimit të kësaj kujtese personale për kohët dramatike. Duke qenë Autor dhe Protagonist i këtij libri, ai është edhe dëshmitar dhe pjesëtar i historibërjes dhe liribërjes së Kosovës.

Edhe sot, kjo Kujtesë Nacionale, e ripërtërirë, dëshiron t’i përcjellë ato amanetet etnike të parëve, amanetin e kujtesës proverbiale shqiptare për ngjarjet që kanë ndodhë apo për bëmat që i kanë jetuar e përjetuar. Të shkarkohet nga ajo barrë rrëfimesh e përjetimesh nëpër dekada e vite, së paku, për t’u regjistruar diku si rrëfim qëndrese, kobi e krenarie. Sepse Kosova ende na është ajo Antologjia Evropiane e Dhimbjes së Madhe, po edhe i Kujtesës Traumatike Kolektive, sidomos nga Lufta e Fundit që ndodhi në Kosovë. Kujtesa e tillë traumatike, e rrëfyer nëndheshëm për aq e aq dekada, sikur shtegton nëpër një golgotë të pafund mundimesh, vuajtjesh e përjetimesh; që nga pushkatimet e burgosjet, përndjekjet e survejimet e deri te dëbimet e boshatisjet tragjike të këtyre hapësirave, së paku, për t’ua nxjerrë rrënjën katrore diktaturave të përgjakshme sunduese që kanë ndodhë në këto anë. Sado që na duket që, në krahasim me popujt tjerë që i kanë hartuar a trajtuar dosjet e tyre për ato kohë, që në vitet ‘70, DOSJA JONË E KUJTESËS NACIONALE shfaqet publike tepër vonë; ashtu sikundër që edhe eshtrat e heronjve apo të dëshmorëve, të vdekur a të rënë nëpër dekada diku heshtas syrit të familjes apo diku në perëndim, na vijnë vonë në Atdhe, së bashku me këto të vërteta të dhembshme e tragjike. Në këtë rast, ky vëllim merr edhe domethënien e kujtesës së shtrenjtë për qëndresën e njerëzit më të dashur të Atdheut. Te autori i ri, kjo kujtesë shfaqet në trajtën e rrëfimeve dhe kronikave, reminishencave meditative dhe udhëpërshkrimeve nëpër shtigjet e luftës, jo vetëm si nderim për ato ngjarje e figura, po edhe si reflektim i intuitës narrative-dokumentare. Ato reflektime, produkt i një literature të lexuar, janë të natyrshme, pa pretendime për të dhënë skalitje laboratorike përsiatjesh filozofike. Ato kujtime na vijnë edhe si imazhe çasti, si pamje farfuritëse, si tablo fluturake, me ngjyra krejtësisht njerëzore, me fakte biografike lufte që vezullojnë me një shkreptimë lapsi në fletoren e shënimeve. Ato vijnë me çiltërinë e kohës, të moshës e të thënies që nuk do më të tërhiqet, të mbyllet në vetvete apo të ndrydhet së brendshmi, por t’i shqiptojë këto shkreptima kohe dramatike në trajtën e një libri kujtimesh.

Rrëfimet e shpalosjet e kësaj të kaluare, do kuptuar edhe si një mbamendje që dënon krimin: sepse është kujtesa ajo që nuk lë asgjë mangut, që vjen me dosjen e saj nga më të pasurat e më të habitshmet në botë, nga ajo e kujtesës dhe e përjetimit të atyre ngjarjeve dhe vjen si trokitje në brejtjen e ndërgjegjes ndaj atyre që e kanë kryer krimin. Së këndejmi, Kjo Kujtesë nacionale na vjen si një rendje maratonomaku e prometheizmi historik: për t’i ndërprerë njëherë e përgjithmonë ato fijet me kohët e krimit; për ta krijuar një realitet njerëzor krejtësisht tjetër, e që shfaqet si transformim i manifestimit të personalitetit të njeriut; njeriut që e krijon realitetin e tillë e që buron nga thellësitë për ta ndjerë veten përgjegjës për atë që bën e vepron; me ndërgjegjen se ai duhet të luftojë për ekzistencën e tij njerëzore e nacionale. Tipi i tillë i Kujtesës, në kohët e reja, le ta kuptojmë edhe si lëvizje të kontakteve manifestuese të Zërit të vëllazërimit shqiptar.

Evokimet vijnë nga vitet e përmbysjeve të mëdha historike, i një kohe që i ndau epokat më dysh. Janë vitet kur UÇK shënoi epopenë e saj të lirisë së Kosovës. ishte koha kur u la pas koha e errët e industrisë së vdekjes, e vrasjeve gjakatare të historisë, dhe kur kjo u pagua me çmimin më të shtrenjtë për lirinë e Kosovës. Së këndejmi, evokimi i ngjarjeve dhe përjetimeve shkon edhe më tutje, më përtej shfletimit arkivor të dëshmive e dokumenteve. Kësisoj, tema e atyre kohëve është gjithnjë e gjallë edhe sot, për shkak të rëndësisë epokale të asaj periudhe lufte e qëndrese. Ajo histori ende vepron e gjallë me efektet e saj sot, me përmbajtjet e me trajtat e kujtesës së gjallë, jo si faktografi e zhveshur dokumentare, por si dialog i gjallë, si rrëfim dinamik historibërës. Historia me ngjarjet e saj vepron ende në horizontin e kohës sonë, me vlerat e veprimet liridashëse, me vlerat e ideve e me projektet nacionale. Kjo do të thotë se nuk ka shoqëri pa kujtesën e saj unike.

Tashmë janë botuar dhjetëra e dhjetëra libra, qofshin si libra dokumentarë, qofshin si rrëfime personale, mbi luftën e fundit në Kosovë. Ç ‘është e vërteta, secili vend dhe secili komb i bën përpjekjet e veta për t’i formuluar një narracion a rrëfim të përbashkët, unik, për të kaluarën, qoftë kjo edhe përmes një rrëfimi personal. Personalja shkrihet në uniken, sado të jetë pluraliste a divergjente  kjo jo kujtesë e ky shpalim i kësaj kohe. Libri i Bujarit e ka një të mirë tjetër: ai shkruhet krejtësisht i pavarur, pa u diktuar nga nevojat e politikës së kohës së tashme.Ai është i ndërgjegjshëm për këto divergjenca, për të cilat përsiat që në Hyrjen e librit:

“Prandaj, nga kjo nxirrja konkluzione në vete, se edhe po të ekzistonin në këtë botë vetëm dy njerëz, prapëseprapë, nuk do të pajtoheshin dhe rreshtoheshin rreth të njëjtit mendim, sikur ai të ishte më i përkryeri. Qoftë i njërit apo qoftë i tjetrit individ. Secili nga ta do të kishte mendimin e vet, duke kundërshtuar tjetrin dhe duke dhënë vërejtje pa poseduar asnjë fakt të vetëm. Kjo, më bën të mendoj se pikërisht për këtë gjë ekzistojnë edhe luftërat në shoqëritë tona “të përparuara”. Ani pse lufta, si term teorik, është diçka e padëshirueshme për tërë njerëzimin, ajo praktikisht ndodhë gjithandej. Nga kjo mund të mendojmë se vetë jeta është luftë dhe bënë që të dallojmë nga kafshët e tjera të planetit Tokë.”

Mirëpo, nevoja që të kemi libra të tillë, niset edhe nga domosdoshmëria e kohës sonë që të kemi një identitet të përbashkët, kolektiv, nacional, e që do ta ketë interpretimin e përbashkët të luftës çlirimtare. Te e fundit, t’i japësh zë harmonisë shqiptare në ato kohë të rënda, për dje e për sot, është një kontribut tejet i rëndësishëm i kujtesës nacionale, historike e shoqërore. Nuk thuhet më kot se të përbashkëta i kishim vuajtjet e përpjekjet, por të përbashkëta i kemi sot edhe gëzimet.

2. Struktura: Libri që ringjall pamjet e luftës përmes rrëfimit personal

Libri ndahet e strukturohet në tridhjetë njësi rrëfimore, njësi kronikash,  përjetimesh dhe shpalimesh. E nis me një hyrje, apo sikundër e përkufizon autori: “Hyrje në kohën e rrëfimeve. Shtysën për ta shkruar një libër, duke jetuar tashmë në një ambient urban, autori e afishon që në fillim:

Në kokë më aterruan dhe më shkrepën mendime e mendime të pafundme, të cilat pa dashje lidheshin me të kaluarën dhe rininë e humbur, e cila më kishte dërguar dikur në një qoshe të këtij qyteti, ku kisha menduar me gjithë mend se do të gjeja qetësinë shpirtërore, por që kishte rezultuar e kundërta e saj. Qetësinë e shumëpritur e paramendoja posa të largohesha nga pamjet e përditshme rurale, të cilat kishin mbetur ende si gërmadha në çdo kënd të vendlindjes dhe më ngacmonin kujtesën sa herë i shihja, duke më kthyer në të kaluarën e vrazhdët, që për një kohë të gjatë, nga vuajtjet që na i kishte shkaktuar, kishte arritur që të zbehte çdo buzëqeshje në fytyrat tona. E vetmja gjë e bukur që ndjeja ishte freskia që më kishte kapluar trupin, e cila sa herë që frynte, më dukej se gjallëronte edhe qytetin, pas ditëve të gjata që kishim kaluar në shoqërinë e temperaturave përvëluese të verës. Sa herë që vinte ndonjë freski e lehtë, sidomos gjatë mbrëmjeve, më shfaqej një dëshirë e thellë për të lexuar një libër.”

Leximi!?

Po!

Personalisht, më kujtohet Bujari si gjimnazist, me sukses të shkëlqyeshëm, kur unë isha kujdestar klase i tij dhe kur jepja lëndën e Gjuhës dhe e letërsisë shqipe: prirjen e tij për të shkruar hartime të pëlqyeshme, për të bërë analiza të mira letrare të librave të lexuar; një i ri i qetë, nga pak i mbyllur, por kur bisedoje, ai shfaqej i buzëqeshur dhe u hapët. I përpiktë në procesin mësimor.

Këtë prirje ai veç sa e ka thelluar, e ka kultivuar dhe e ja pasuruar, jo vetëm me lexime të reja, por edhe me prirjen për të paraqitur tablo përshkrimesh e reflektimesh; për të veçuar beteja, figura të shquara luftarake, personalitete… mbi të gjitha kujdesin dhe dashurinë e pafund për familje n e rrethin familjar.

Kur ai shkruan për jetën në shkollë të mesme dhe për protestat studentore, kur qe regjistruar në Universitetin e Prishtinës, në të vërtetë ai jep edhe rrugët e formimit të tij si një i ri i rezistencës dhe rrugën e formimit të tij deri te marrja e armës në dorë për t’u bërë luftëtar i UÇK-së. Pasojnë ngjarjet njëra tjetrën: kyçja në radhët e UÇK-së që më 1997, dhe ndërprerja e studimeve për shkak të këtij angazhimi liridashës, bashkëpunimi e bashkimi me klandantin Mujë Krasniqi nëpër shtigjet e lirisë, kontakti me figura të shquara të UÇK-së, aksionet luftarake etj. Janë sidomos me interes për lexim  pjesëmarrja nëpër betejat luftarake në Dukagjin, Llapushë e Drenicë, sepse ky ishte areali i luftës dhe skena e madhe e përballjeve, ku zhvillohej lufta në Kosovës, për dy vite me radhë. Është një kujtesë e rrëfyer me kujdes, me frymëzim, dhe ku në këtë skenë dramatike, krijohen edhe vlerat e individit dhe të guximit luftarak e njerëzor. Ndër të tjera, për epopenë e Jasharajve, ai kujton:

Radha e vullnetarëve që ishin nisur të shkonin për ta ndihmuar familjen Jashari, ishte e gjatë. Kishte edhe të atillë që prisnin me padurim marrjen e një arme në dorë për të dhënë kontributin e tyre, por zhgënjimi i vullnetarëve prekte kupën e qiellit, sepse nuk kishte armë për asnjërin prej tyre. Shumë të paktë ishin ata që në këtë betejë kishin armët e tyre personale, të cilat i kishin mbajtur të fshehura për shumë kohë nga regjimi, me të cilat kishte ardhur dita që grykët e atyre pushkëve t’ua kthenin armiqve.”

Përpos betejave, Bujari arrin të përshkruajë edhe çaste takimesh, kurse një kapitull titullohet: “Në odën e Mujës: Kënga për Besnikun dhe pushka dhuratë e ku rapsodi dhe luftëtari shkrihen në një unison në nderim të rënies së dëshmorit. Me interes është dhe përshkrimi i formimit të njësiteve luftarake në atë pranverë të vitit 1998 në rajonet e lindore të komunës së Klinës:

“Njësitet u emërtuan nga përgjegjësit e tyre. Njësiti ynë me Shtab në Çabiq mori emrin ‘Alfa’, kurse Njësiti që ishte formuar në fshatin Dobërdol me përgjegjës Remzi Vishaj mori emrin ‘Beta’, ndërsa Njësiti i fshatit Gllarevë me përgjegjës Agim Pantina mori emrin ‘Graniti’.… Ndër të parët që erdhën në Njësit ishin: Elmi Raci, Izet Milazimi, Halit Gashi, KadriDemaku, Musë Buzhala, Albert Shala dhe shumë të tjerë, të cilët dolën vullnetarë për t’u bashkangjitur sapo morën vesh që u formua një shtab lufte në Çabiq dhe sapo dolën haptas ushtarët e parë të armatosur.”

Në njërën nga betejat e shumta në këto anë, Bujari edhe plagoset, siç e përshkruan te pjesa “Plagosja ime”. Nëpër gjithë librin shfaqen dhe parakalojnë emra luftëtarësh, emra mjekësh e motrash medicinale të luftës, emra protagonistësh e betejash, vendbanimesh ku janë zhvilluar betejat e qëndresa. Autori nuk e ka pretendimin që të bëjë një panoramë të gjerë dokumentare të luftës, por thjesht, vetëm një rrëfim personal, me ngjarjet e përjetimet e tij të drejtpërdrejta e ku ai është vetë Autor dhe Protagonist. Këso tablosh të luftës dhe të betejave, të situatës së popullatës në kohë lufte, ai jep përgjatë tërë librit. Ishte data dy gusht 1998, kur ndodhi ofensiva e verës, mbi fshatrat e Klinës, Drenicës dhe Malishevës. Ja si paraqitet kjo tablo te pjesa “Shpërngulja e popullatës dhe mbijetesa ekstreme në male”:

Mësymja e serishme serbe bëri që të ngulitemi sërish afër pozicioneve, nga ku shihej rruga kryesore dhe nga ku pritej të devijojë tërë ajo kolonë hekuri që lëvizte në drejtim të fshatrave tona. Përveç akseve të rrugës kryesore, serbët mësynë edhe në rrugët e tjera, të cilat shpinin në një vendtakim të synuar kaherë- në Drenicë… Pritëm edhe disa momente dhe kur e pamë se kolona vazhdoi nga ana tjetër e fshatit, në drejtim të fshatit Ujmirë, atëherë vendosëm të largohemi dhe vazhduam drejt pjesës tjetër të fshatit, ku shihej kolona e gjatë e banorëve, të cilët kishin mësyrë malet e Çabiqit. Vazhduam ashtu deri te “Lugu i Smetkocit”, i cili gjendet ndërmjet fshatit Çabiq dhe Ujmirë, ku e takuam Mujën të plagosur dhe të shtrirë në një batanije, me të cilën e kishin bartur familja kur kishin dalë nga shtëpia në pamundësi të ecjes së tij. Aty e pamë me plagën e dytë, e cila nuk ishte e lehtë fare, por që për një njeri si Mujaishte diçka e zakonshme.”

Aty jepet edhe rënia me armë në dorë e Muhamet Gahsit nga Çabiqi, si dhe rrethimi i njësitit… Pas ngjarjeve e kronikave të gjalla të luftës, kah fundi jepen edhe tri tekste me titujt “Liria hapi portat e mbyllura”, Çlirimi i Kinës” dhe “Sfidat e jetës në liri” e që e japin atë prerje epokale mes luftës dhe lirisë.

3. Libri: Ose shkrimi kundër harresës

Në thurjen e këtij libri Bujar Shala ka gërshetuar trajtën e rrëfimit me atë të evokimeve të rinisë, të jetës si gjimnazist, si student dhe si luftëtar me shkrimin biografik autorial; në gërshet vihen edhe përjetimi personal me tablotë e gjera të luftës, fakti personal në kontekstin historik e shoqëror të kohëve që i lamë pas, si dhe të shënimit të drejtpërdrejtë me dëshmitarë, të ndonjë kujtimi a shënimi të shkëputur nga kontaktet me luftëtarë e figura të kohës; aty lexojmë një kronologji meditative-narrative e dokumentare për ngjarjet e një kohe, për shqiptarësinë e atdhesinë që shndërrohen tashmë në vlera kujtese, në vlera të Fjalës së Shkruar e të Fjalës së Gjallë.

Brena një rrëfimi hasim edhe reportazhin bashkëbisedues të e luftës me atë të kujtimit prononcues. Në këtë mënyrë, libri shfaqet me pamje të plotë, me një lëndë e përmbajtje të pasur, i shkruar rrjedhshëm dhe qartë. Do veçuar edhe prirjen e autorit dhe qëllimin fisnik të tij, që t’ia ofrojë lexuesit dhe kohës sonë një libër lehtësisht të lexueshëm, me përmasën e emocionit dhe të ndjeshmërisë, ani se autori nuk ligjëron me mbufatje e stil të fryrë, por me ndjenjën e masës e me peshën e drejtpeshimit, duke gjykuar, përshkruar e vlerësuar  gjithçka me maturi e urti. Vetë sintagma kujtesë e zgjuar ka për qëllim për të vë në pah edhe një anë tjetër të heroizmit të luftës e të lartësimit të saj: për ta drejtuar shkrimin e tij kundër harresës, për të mos na e rrëmbyer më askush kujtesën tonë, as të vërtetën tonë, që më askush të mos na e gjymtojë historinë, as të na e tjetërsojnë identitetin tonë kombëtar. Duke i shkruar edhe tri pjesët në fund të librit, që i përmendëm  më lart, autori dëshiron të na dëshmojë se historia bëhet për çdo ditë, madje ajo po bëhet edhe sot.

Maj 2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pjesëmarrësit e Samitit të Demokracisë së Evropës Juglindore, që po…