Kujtesa historike dhe të persekutuarit nga serbomëdhenjtë dhe komunistët e Kosovës nuk harrojnë

16 gusht 2025 | 13:00

Intervistë me Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim (10)

Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim, në pjesën e dhjetë dhe të fundit të kësaj interviste dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka theksuar se kujtesa historike dhe të persekutuarit nga serbomëdhenjtë dhe komunistët e Kosovës nuk harrojnë.

“Epoka e re”: Në parim po, por kushtet historike jo në çdo kohë janë të volitshme për objektiva të tilla madhore. Duket se ky ishte rasti edhe me çështjen shqiptare. Kur u modifikua platforma kombëtare dhe çka e nxitën një ndrysim të tillë?
Hajdin Abazi: Shumë e vërtetë, konteksti historik dhe proceset politike e gjeopolitikat, në kuptimin e rrethanave kontinentale e ndërkombëtare, impononin reformim të lëvizjes atdhetare të rezistencës kombëtare, po sidomos vetë gjendja e popullit tonë.
Natyrisht, perceptimin do ta ndryshonte thuaja e tërë lëvizja e rezistencës kombëtare pas revoltës së vitit 1981, kur kërkesa për Republikë u rishtrua nga masat e gjera popullore.
Kam bindjen se shumica nuk kemi besuar realisht se mund të realizohej kjo kërkesë, por ishte kuptuar diçka më tepër, që më parë nuk ishte e qartë. Të paktën, unë kam reflektuar ashtu dhe besoj ashtu kanë bërë edhe të tjerët.
Duke qene Evropa asokohe e ndarë në dy kampe – në atë socialiste dhe në atë demokratik dhe kur ishte në vepeim Lufta e Ftohtë midis tyre, dhe për të amortizuar pretendimet territoriale që mund të nxisnin konflikte e luftëra ndërshtetërore dhe për të siguruar stabilitetin e kontinentit, ishin pajtuar për një politikë të mos ndryshimit të kufijve të jashtëm.
Krahas kësaj politike evropiane, po sidomos demonstratat e vitit 1981 më kishin bërë ta ndryshoja perspektivën politike dhe ta kuptoje kontekstin euro-atlantik si vendimtar për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.
Dhe kërkesa për Republikë nuk binte ndesh në asgjë me këto standarde euro-atlantike, përkundrazi, vetvetiu, ishte e pranueshme.
Platforma për Republikë duke qenë në parim e edhe potencialisht e mundshme, ishte një shtrim i ri i çështjes kombëtare që do t’i mobilizonte shtresat e gjera qytetare në lëvizjen e rezistencës dhe do t’i arrinte shumë efekte njëherësh: – do t’i bashkonte klasat e shtresat e ndryshme në çështjen kombëtare; – klasa politike shqiptare e asaj kohe, komunistët pra, do të duhej të pajtohej dhe të angazhohej po ashtu – ne emër të interesave të veta reale dhe vullnetit të tërë popullit shqiptar; – vendet euro-atlantike nuk do të mund të ishin kundër, sepse nuk cenoheshin kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë; – do të forcohej realisht federalizmi jugosllav pasi që do të instalohej barazia kombëtare edhe për një popull, të tretin për nga madhësia, që ishte brenda atij shteti; – do të goditej amorrizohej shovinizmi serbomadh sa të plandosej dhe pa pasur mundësi ringjalljeje (ashtu sikurse u ringjall); – Ishte një përforcim real i federalizmit jugosllav, duke krijuar ekuilibër kombëtar dhe duke shuar një prej vatrave të krizës me pasoja që nuk diheshin (ndaj dhe asokohe Kosova, për shkak të autonomisë së brishtë dhe shtypjes së vazhdueshme kombëtare, quhej “bombë e kurdisur” me gjasa edhe për të nisur një luftë e tretë botërore).
Për të gjitha këto arsye, dhe për faktin se e shkëpuste Kosovën prej Serbisë, pra e çlironte popullin shqiptar prej robërisë serbe, me çka e konsolidonte pozitën shtetërore si republikë, e me këtë forcohej edhe pozita e shqiptarëve në republikat e tjera – Republika ishte platforma politike e justifikueshme dhe e drejtë kombëtarisht.
Republika do të ishte një hap i madh përpara në çështjen kombëtare.
Mbi të gjitha, qoftë nëse bëhej e qoftë nëse nuk bëhej republika brenda federatës – çështja e çlirimit nga Serbia do të shtyhej më fuqishëm përpara.

“Epoka e re”: Vllasi në njërën anë thotë se të gjithë e donin Republikën, po a bënte regjimi komunist i asaj kohe ndonjë gjë në vitin 1981 e më pas që ta shtynte përpara agjendën e Republikës?
Hajdin Abazi: Asokohe, ne nuk i dinim në hollësi zhvillimet e brendshme institucionale, po vetëm ato që thuheshin publikisht, dhe këto ishin dëshpëruese; kurse tash, nga ato që rrëfejnë vetë disa prej udhëheqjes së atëhershme komuniste, përfshirë edhe vetë A. Vllasin, po edhe Fadil Hoxha, Kaqusha Jashari etj. rezulton se ata e kishin braktisur çështjen e Republikës (edhe pse e “donin”).
Ky ishte gabimi i tyre i madh politik e kombëtar, orientimi i me një busull me pole të ngatërruara, duke u tërhequr në çdo gjë, e që i shkaktoi shumë dëme Kosovës si strukturë gjysmë-shtetërore, popullit shqiptar e së fundmi edhe vetes së vet. Më kujtohet se, sidomos gjatë viteve 1986-1988, në shumë kontakte me shtete e parlamente të ndryshme evropiane, na thoshin: përse udhëheqja e Kosovës nuk po kundërshton; përse po pajtohet në gjithçka me shtytjet hegjemoniste të Serbisë; përse po e braktisin autonominë dhe çështjen tuaj kombëtare”.
Nga sot, unë do të mund t’i kuptoja edhe nëse neve që na kanë arrestuar para vitit 1981, na kenë etiketuar si separatistë dhe na kenë dënuar me burg, edhe pse arrestimet e tilla tregonin distancimin nga shtresat më të prekura të popullit, se ata nuk i kuptonin drejt vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj tyre; do t’i kisha kuptuar e do t’i kisha quajtur edhe heronj madje – sikur të dilnin në mbrojtje të kërkesës për Republikë. Por vetë Vllasi e thotë se në vend të saj, pra në vend se të kalonin në kundërsulm (me argumente e justifikime politike) për Republikën, ata kaluan në defensivë, që me fjalë të tjera i bie se e mohuan atë si interes edhe i tyre e edhe i popullit të Kosovës. Të duash realisht diçka nënkupton se duhet të bësh vepra në drejtim të asaj që e do për të treguar se e do (sikurse do të bënin më pas udhëheqja sllovene, kroate e boshnjake)kur do të organizonin rezistencën ushtarake kundër agresionit të Serbisë); por të mos bësh asgjë, t’i ngresh duart – i bie që të tjerët, “ata budallenjtë” që e donin njëmend Republikën dhe ishin të gatshëm edhe të martirizoheshin e të piqeshin në hell për të, ndërsa udhëheqja të nxirrej si qimja nga mjalti – por Serbia nuk do t’i falte as këta.
Disi edhe mund të gëlltitet sjellja frikacake e tyre në atë kohë.
Vetëm se edhe tash, pas më shumë se katër dekadash dhe pas atyre zhvillimeve që i treguan tërë botës se shovinizmi serbomadh ishte agresori dhe fajtori i vetëm për luftërat në ish-Jugosllavi, të vazhdohet të thuhet se demonstratat e vitit 1981, parullat dhe kërkesat e tyre për Republikë, e bënë Serbinë të atakonte autonominë deri në suprimim – është të mbetesh konceptualisht në vorbullën e gabimeve të asaj kohe, edhe pse askush nuk ka kërkuar përgjegjësi juridike për ta.
Udhëheqja komuniste e asaj kohe përpiqej të shpëtonte veten e vet secili dhe harruan se fjala ishte për çështjen e Kosovës. A mund të ishte ndryshe? Sigurisht se po. Për shembull, Azem Vllasi në vitin 1989 u arrestua, u burgos dhe u dënua për shkak të protestave të minatorëve në mbrojtje të autonomisë, pra ai u dënua se u dënua – e sikur të ishte dënuar në mbrojtje të Republikës dhe të kishte argumentuar për të si akt edhe në mbrojtje të federatës – do të ishte një situatë tjetër politike dhe do të krijohej një kontekst tjetër kombëtar.
Lëre që nuk e bëri ai këtë, ashtu sikurse nuk e bëri as Fadil Hoxha, as Mahmut Bakalli e asnjë pushtetarë tjetër i Kosovës, por edhe tash përpiqet Vllasi ta arsyetojë një qëndrim të padinjitetshëm, pa më të voglën pendesë.
Do të ishte njerëzore të pranohet se besimi i tyre ishte i tepruar dhe i bazuar në ideologjinë komuniste dhe në rregullimin federativ, ndonëse kishte shumë tregues se gjendja reale ishte ndryshe dhe sidomos se shtresat e gjera të popullit po persekutoheshin gjithandej. Për mua, do të ishte kurajë njerëzore e politike të pranohej se kishin gabuar me mos mbrojtjen e Republikës, nja lloj katarsisi moral. Por duke mos e bërë këtë, tregohet e njëjta dobësi edhe pas katër dekadash, aq më tepër që askush nuk ka kërkuar asnjëherë hakmarrje të asnjë lloji.
Askund A. Vllasin nuk e kam dëgjuar as dhe njëherë të vetme të jetë shprehur pendim, që, dashje pa dashje, kishin ndjekur linjën ideologjike e politike të serbomëdhenjve, duke mos e demantuar që në fillim dhe asnjëherë si duhet. Edhe ndonjë kundërshtim i lehtë që të jetë bërë (shih, për shembull, librin e Kaqusha Jasharit “Do ta vejmë kufirin”), ishte aq i sfungjertë, sa që atyre që u adresoheshin – ata i konsideronin si “fjalë që i merr era”, që nuk kanë asnjë referencë pas tyre, pra janë thjesht vetëm fjalë. Sepse, për ta vendosur kufirin, në kuptimin që të ndalej Serbia në revanin qoftë edhe vetëm kundër autonomisë – duhej organizim, qëndrim konsistent, mosdorëzim dhe vendosmëri që njëmend të bëhej kjo – e këtë askush prej pushtetarëve komunistë nuk e kishte dhe nuk e ka manifestuar.
Nga ajo se si e thotë Vllasi për fuqinë e autonomisë (se “i mungonte vetëm emri Republikë”), del se ai as sot e kësaj dite nuk e pranon se nuk ishte aspak ashtu; nga që po të ishte ashtu, pra po të ishte vetëm emri Republikë që i ka munguar Kosovës, Serbia nuk do të mund ta suprimonte autonominë – ashtu sikurse nuk mundi ta suprimonte asnjë nga republikat e tjera; po pikërisht pse i mungonin autonomisë realisht ingerencat republikane – Serbia mundi ta suprimonte autonominë e Kosovës dhe ta aneksonte sërish atë.
Prandaj, nëse diçka është bërë për agjendën e Republikës – ajo është bërë nga viti 1966 e deri në vitin 1981, përmes atij zhvillimi që e shtjellova më sipër e që krijoi potencialin për shtyrjen reale përpara të agjendës së Republikës, por që udhëheqja komuniste nga M. Bakalli e deri te A. Vllasi ishin vetdistancuar sidomos me veprime nga agjenda e Republikës.

“Epoka e re”: Dhe dihet, agjendën e Republikës do ta përvetësonte lëvizja e rezistencës kombëtare, e cila do të bëhej shtylla vertebrale e qëndresës dhe e kontinuitet…
Hajdin Abazi: Saktë.
Atë që nuk e kishin kuptuar komunistët e Kosovës, lëvizja atdhetare e kishte krejt të qartë se autonomia ishte tërësisht e pamjaftueshme, e theksonte këtë, jepte argumente dhe parashtronte platforma veprimi për të avancuar Kosovën në Republikë.
Qysh arrestimet e vitit 1979-1980 treguan se autonomia realisht ishte absorbuar dhe nuk mund më të qëndronte edhe gjatë e as t’i mbronte dot shqiptarët si popull e madje as dhe pushtetin autonom.
Për dallim nga udhëheqja komuniste shqiptare e Kosovës që ju hyri frika në palcë, lëvizja atdhetare e rezistencës kombëtare duke reflektuar rreth revoltës së vitit 1981 kishte bërë kthesën e madhe konceptuale për ta mobilizuar popullin për Republikë.
Duke e kuptuar se Republika ishte një avancim real i Kosovës si shkëputje nga Serbia dhe se do t’i garantonte të drejtën e recesionit, lëvizja atdhetare e bëri qendrore, shtyllë vertebrale të qëndresës, platformën për Republikë. Se kjo ishte kështu, mund të shihet në secilin prej shtypit të rezistencës nga viti 1981 e deri te lufta çlirimtare e udhëhequr nga UÇK.
E kam thënë tashmë se ne ishim tërësisht të vetëdijshëm se nuk mund të arrihej konstituimi i Republikës për shkak se shovinizmi serbomadh nuk do ta lejonte atë në asnjë mënyrë; përkundër kësaj, kërkesa për Republikë ishte një platformë që, përveç serbomëdhenjve, askush (as vendet euro-atlantike) realisht nuk mund ta kundërshtonte, sepse nuk binte ndesh me asnjë normë evropian e ndërkombëtare (madje, më kujtohet se tërthorazi, kur dorëzonim ndonjë peticion me të cilin kërkonim mbështetje nga shtete të ndryshme perëndimore, na inkurajonin që të vazhdonim).
Duke qenë, pra, e mundshme sipas përcaktimeve evropiane, platforma për Republikë masave popullore u jepte siguri që të angazhoheshin, pasi që askush në Evropë nuk mund t’i akuzonte luftë nxitje ndërshtetërore dhe për prishje kufijsh të shtetit të Jugosllavisë.
Për dallim nga pushtetarët komunistë të Kosovës, koha e ka treguar se lëvizja atdhetare e rezistencës kombëtare u tregua vizionare dhe u bë realisht përfaqësuesja, mbrojtësja dhe artikuluesja e interesave kombëtare të Kosovës ani se këtë e pagoi shtrenjtë me arrestime, burgosje, dënime e besa edhe likuidime fizike.

“Epoka e re”: Shumë skenarë ka pasur kundër popullit tonë, po si arritëm, megjithatë, jo vetëm të mbijetojnë, por Kosova edhe të çlirohet e të bëhet shtet më vete?
Hajdin Abazi: E vërtetë, se kishte shumë skenarë antishqiptar. Nuk ka qenë aspak e lehtë. Madje, kur e kthej kujtesën ndonjëherë në ato kohëra dhe i shoh se sa rreziqe të shumta, të njohura e të panjohura, na kanoseshin, bindem se populli ynë kishte të drejtë që e priste mrekullinë nga perëndimi – sepse vetëm nga andej mund të na vinte shpëtimi, ashtu si edhe na erdhi.
Megjithatë, pa u hedhur vetë ne në zjarr, pa derdhur gjakun tonë dhe pa u flijuar, pa UÇK – nuk do të arrihej kurrë liria.
Krahas kësaj, kishte disa faktorë që i bënë shqiptarët të mos thyheshin në përpjekjet e tyre çlirimtare. Me qenë se janë të njohura, po i përmbledhë: – historia e pushtimeve gjatë shekujve u kishte mësuar shqiptarëve që të mos binin pre e mashtrimeve nga të tjerët, si dhe t’i nuhasnin kurthet e ngritura ndaj tyre, t’i shmangnin ato dhe të mbijetonin; – lëvizja atdhetare, e cila ishte shtylla e rezistencës dhe që kishte potencial për të nisur edhe luftën e armatosur, nuk ishte aventuriere e as me prirje terroriste, po ishte e përkushtuar për lirinë dhe çështjen kombëtare, ndaj dhe i studionte kushtet e rrethanat dhe zhvillimet brenda në Kosovë e në Jugosllavi e në botë, duke vazhduar me organizimin dhe me vazhdimin e qëndresës paqësore aktive; – lëvizja politike pluripartiste e Kosovës e pas vitit 1990 po ashtu u përcaktua për një kurs të moderuar paqësor, porse pasiv, dhe tregohej e dëgjueshme ndaj qendrave të vendosjes, domethënë vendeve euro-atlantike; – Shqipëria e cila, nga viti 1981, na ka sugjeruar të vepronim paqësisht, dhe ne i besonim asaj sepse na kishte përkrahur hapur kur askush tjetër nuk e bënte, dhe udhëzimet e saja ishin korrekte; – vendet euro-atlantike me të cilat, përmes protestave e demonstratave nga Evropa në SHBA, kishim kontakt dhe na sugjeronin që të vazhdonim me përpjekje paqësore, gjë që ishte e njëjtë me ato që na i thoshte edhe Shqipëria; – organizimin e vazhdueshëm ushtarak lëvizja së rezistencës kombëtare e kishte nisur në Kosovë që nga viti 1985, por që nga viti 19911992 ishte bërë sistematik e që më pas do të strukturohej në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por që ishim përcaktuar për zbatimin e normave ndërkombëtare dhe për luftë të pastër çlirimtare për tërë popullin e Kosovës dhe për të gjitha etnitë ekzistuese, e që, pra, do të hidhej në veprim vetëm kur qe ndezur drita e gjelbër: se, nëse e keni përnjëmend lirinë, tash, ishte koha për të nisur edhe luftën e armatosur.

“Epoka e re”: Dhe, krejt në fund, si duhet vazhduar sot, në Kosovën e lirë e demokratike, Republikë – shtet i pavarur: toleranca, diversiteti dhe sqarimet konceptuale, apo duhet lënë në harresë dhe të mos merremi me të kaluarën?
Hajdin Abazi: Nga sa kam thënë deri këtu, besoj se kam shpjeguar pikëpamjen time. Të kaluarës nuk mund t’i shmangemi, nuk mundemi ta harrojmë e as ta anashkalojmë, sepse janë përvjetorët e ngjarjeve që kanë bërë historinë e Kosovës.
Me to duhet të merren historianët si shkencëtarë, kurse politikisht e ideologjikisht duket se ka nevojë të kristalizohen zhvillimet, qëndrimet, veprimet dhe qasjet.
Absolutisht jam për tolerancë dhe liri të fjalës pa asnjë kufizim, e kjo të vlejë për të gjithë dhe pa përjashtim. Diversiteti si në qasje e pikëpamje është begati, sepse e përplotëson mozaikun, dhe tregon perceptimet nga pozicionet e ndryshme. Porse duhet bërë dallimi midis asaj se si ishin kuptuar dikur e si kishin qenë në të vërtetë, sepse nëse plasohen vetëm ato këndvështrime të asaj kohe sikurse bën A. Vllasi, atëherë paraqitja është patologjike, sepse në një farë mënyre i jepet një lloj alibie shovinizmit serbomadh – ashtu sikurse ishte teza se revoltat popullore të vitit 1981 e bënë Serbinë të kalonte në sulm kundër Kosovës, pra aludohet se fajtori ishin ata që nuk e duruan persekutimin dhe u ngritën ta kundërshtonin atë.
E kaluara duhet të na shërbejë edhe për të mësuar nga e keqja e asaj kohe, për të kuptuar gabimet (morale e politike), për t’i pranuar ato dinjitetshëm dhe kështu do të tregohet se ishin pre e kohës dhe e mos guximit politik për të vepruar në mbrojtje të vlerave kombëtare qoftë edhe duke u martirizuar!
Ne e kemi dhënë provimin kombëtar të mirëkuptimit, të mos hakmarrjes dhe të tolerancës, në radhë të parë lëvizja e rezistencës kombëtare dhe ata që ishin të persekutuar, si dhe tërë populli, por kjo nuk domethënë se, si A. Vllasi, të përpiqet të na bindë se kishte vepruar drejt e në funksion të Kosovës e të shqiptarëve, kur dihet se nuk ishte ashtu. Nëse kjo pretendohet, atëherë nxitet ana tjetër, për të treguar të vërtetën.
Për të treguar se çfarë mund të thuhet për komunistët e asaj kohe dhe konkretisht për Azem Vllasin mjafton të kujtohen fjalët e tij të majit 1981 se si ka folur me gjuhen e serbomëdhenjve të Beogradit për kryengritjen e atij viti dhe për të kuptuar se ende i ka po ato qëndrime: “Nacionalizmi i ka lëshuar thellë rrënjët në institucionet arsimore dhe në disa fusha të krijimtarisë”, “Propaganda armiqësore është futur sistematikisht atje ku ne, me aktivitetin politik, nuk kemi qenë të pranishëm”, “Armiku doli me parullat, qëllimet dhe planet që janë përgatitur në shtabet e fuqive reaksionare, të cilat gjithmonë kanë punuar dhe punojnë kundër Kosovës dhe Jugosllavisë vetëqeverisëse dhe socialiste” dhe “Procesi i diferencimit duhet të jetë i tërësishëm.”
Mund t’i ketë harruar Vllasi këto, por kujtesa historike dhe ata dhjetëra mijëra shqiptarë që na arrestuan, na maltretuan dhe na dënuan edhe vetëm pse shkruhej “KR” nuk i harrojnë dot.
Krejt në fund, dua të theksoj se nuk i kam shteruar gjithë ato që do të mund të thuheshin për ato që i shpalosi A. Vllasi në “Pikë”, po jam përpjekur të merrem me ato aspekte që shprehin insinuata, që hedhin mjegull e konfuzion për të vërtetën e asaj gjendjeje dhe të asaj kohe, dhe ishte një rast i mirë që mu dha mundësia të shtjelloja disa aspekte konceptuale të asaj kohe si nga këndvështrimi i atëhershëm e edhe i mëpasshëm, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë dhe i burgosur politik i asaj kohe, duke i tejkaluar pasionet dhe emocionet, po me racionalitet dhe shqyrtim, që të hidhja reflektorët historik edhe në ato aspekte e zhvillime që duhet të merren parasysh gjithsesi dhe madje me peshën vendimtare për të krijuar një mozaik të real të atyre zhvillimeve dhe të arritjes së shtet bërjes së Kosovës. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili është sërish kandidat…