
Kujtim Gashi bartës i listës së PDK-së për Asamblenë Komunale në Prizren
Ish-ministri i Kulturës dhe nënkryetari aktual i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, do të jetë bartës i listës së kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Kuvendin Komunal në Prizren. Krahas kësaj, Gashi do të ushtrojë edhe funksionin e shefit të shtabit zgjedhor të PDK-së në këtë komunë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gashi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku thekson përkushtimin dhe besimin në ekipin që do të garojë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
“Jam krenar e i nderuar të drejtoj listën fituese të kandidatëve të PDK-së për Kuvendin Komunal të Prizrenit. Ky është ekipi ynë i pathyeshëm, profesionistë të përkushtuar, zëra të fortë të qytetarëve dhe mbështetës të palëkundur të vizionit të kryetarit Shaqir Totaj. Rreth 65% e tyre garojnë për herë të parë, duke sjellë energji të re, ide të freskëta dhe vendosmëri për ta çuar Prizrenin përpara. Së bashku, do të jemi forca e fitores,” – ka shkruar Gashi.
Aktualisht, Komuna e Prizrenit drejtohet nga kryetari Shaqir Totaj, përfaqësues i PDK-së. Sipas Gashit, puna dhe angazhimi i qeverisë lokale nën drejtimin e Totajt ka ndërtuar një bazë të fortë për vazhdimësinë e qeverisjes pas zgjedhjeve të ardhshme.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025.