Kujtime nga tragjedia e nxënësve malishevas në Fushë-Arrëz

14 tetor 2022 | 08:32

Uran Krasniqi

Para disa ditësh “Alsat-M” më ftoi të lidhesha në emisionin e tij për të kontribuar si gazetar për temën që po trajtonte: Raportimi medial për aksidentin në Bullgari, në të cilin humbën jetën dhjetëra persona. Në atë çast m’u kujtua aksidenti i Fushë-Arrëzit. Më 14 tetor 2004 unë mundohesha të ikja për te 14 tetori 2014, 14 tetori 2024, 14 tetori 2034… Me sy të mbyllur, i shtrirë në karrigen e autobusit, për ta ruajtur mendjen e për ta mundur dhembjen e shkaktuar nga realja, konstruktoja në imagjinatë skena jete pas dhjetë vjetësh, njëzet vjetësh, tridhjetë vjetësh…sesi do të mund të dukej bota, se si do të ishin njerëzit, se ku do të mund të isha unë. Ajo ishte fatkeqësia më e madhe e një shkolle nga Kosova dhe dita më e trishtë e Malishevës së pasluftës, kur pesëmbëdhjetë bashkëmoshatarë të mitë humbën jetën. Nuk i kam njohur të gjithë personalisht, por shpesh mendoj për ta. Për atë se çfarë ëndrra u mbetën në gjysmë. Rruga Kosovë-Shqipëri nuk ishte kjo që është sot. Ishte një rrugë shumë e keqe, e kohës së komunizmit. Në shumë vende pa mbrojtëse anësore. Shteti që qe në gjendje të bunkerizohet nga “armiku i jashtëm” që kurrë s’i erdhi shprehur me terma të Dino Buzzatit, kishte lënë të veprojë armik të brendshëm në formë greminash përskaj rrugëve, ku një nga to përpiu edhe autobusin ku ishin bashkëvendësit e mi. Ishte mesditë dhe kemi qenë rreth dhjetë autobusë duke u kthyer në Kosovë pas një ekskursioni prej pesë ditësh në Shqipëri dhe ku kaluam shumë mirë, pasi vizituam Durrësin dhe shumë qytete të tjera. Më kujtohet çasti kur shkuam në stadiumin “Qemal Stafa”, sot “Air Albania Stadium”. Kur zbritëm në Tiranë, ne disa nxënës që e donim futbollin, e gjetëm stadiumin. Ai kujdestari i stadiumit pranoi që ne të fotografoheshim përreth fushës, po jo të futeshim në fushë. Po a kishte kush që na ndalte? Ne ishim 18-19 vjeç që vetë luanim futboll, kurse ai kishte shkelur të 50-tat dhe vetëm e ruante stadiumin. I ikëm dhe u futëm në fushë, pastaj qeshnim me të. Atë ditë, kur i nisëm drejt Kosovës, më kujtohet se si një nga profesorët bërtiste: “Hajdeni më shpejt! Bëhuni gati më shpejt, të nisemi më shpejt. Në orën 19:00 duhet të jemi para Gjimnazit “Abdyl Frashëri” në Malishevë”. Ishim nisur dhe autobusi lëvizte. Për një çast është ngrehur një pluhur i madh para nesh. Shoferii autobusit tonë tha: “Uau, një autobus ra poshtë!”. Britma të mëdha janë dëgjuar në autobusin tonë. Janë hapur dyert e autobusit të dyja përnjëherë dhe kemi dalë të gjithë jashtë. Poshtë në greminë dukej autobusi i rënë së bashku me nxënësit dhe njerëzit e grumbulluar rreth tij. Një veturë e tipit “Mercedes” kishte goditur autobusin, duke arritur t’ia ndërrojë drejtimin dhe duke e shtyrë drejt greminës. Poshtë një gjendje e jashtë[1]zakonshme. Në çastin e aksidentit autobusi kishte nxënë disa nxënës përfundi. Sfidë ishte nxjerrja e atyre. Një grumbull profesorësh dhe nxënësish përpiqeshin t’i nxirrnin dhe të shpëtonin sa më shumë jetë. Kameramanët e gazetarët shqiptarë erdhën në vendngjarje para një helikopteri të shtetit shqiptar. Vetëm pak kohë pas helikopterit erdhën makinat e para nga Malisheva.

Pas një kohe u ktheva në autobus. Disa bashkëmoshatarë më thanë se mediet po raportojnë për ngjarjen dhe se tashmë ishin mbi dhjetë persona të vdekur. Ishte hera e parë kur kuptova pafuqinë e fjalëve. Asnjë fjalë nuk kishte më kuptim. T’i dëgjosh mediet për një ngjarje, pjesë e së cilës je edhe vetë, të mendosh se të gjithë ditkan për ngjarjen që ti mendoje se dinin vetëm ata që ishin aty, kjo sigurisht që m’u duk interesante. Jetoni, shoku im, i cili kishte qenë në autobusin e aksidentuar, më vonë do të më tregojë çastin kur autobusi ka rënë në greminë. “Kemi qenë duke kënduar kur ka ndodhur një lëvizje, pastaj disa britma dhe më pas unë e kam parë veten në spitalin e Tiranës. Kaq më kujtohet”. Ne mbetëm për shumë orë të ndaluar aty brenda në autobusë të cilët nuk lëviznin. Ky ishte vetëm njëri akt i tragjedisë. Tjetri po luhej në të njëjtën kohë në vendlindjen tonë, në Malishevë. Siç do të më tregonin të afërmit më pastaj, ata atje po i dëgjonin lajmet dhe paraqitjen gabim të emrave të viktimave, duke i bërë edhe të gjallët pjesë të listës me emrat të vdekurve, e cila kishte shkaktuar rrëmujë të vërtetë. Ishte krijuar një përshtypje se kushdo që ishte pjesë e atij udhëtimi nuk ka shpëtuar. Ambulanca nuk po mund t’u përgjigjej të gjithë atyre që po kërkonin ndihmë mjekësore. Njerëzit e ngushëllonin njëri-tjetrin. Kur njëri e kishte ngushëlluar për mua xhaxhain tim, ky e kishte kapur për krahu dhe e kishte skajuar, duke i thënë: “Trego çfarë di për Uranin, ku bazohesh që ngushëllon?”. “Nuk di gjë, – i kishte thënë ai, – unë vetëm po flas për të gjithë që janë atje. Besoj se nuk do të kthehen asnjë i gjallë”, i kishte thënë ai. Xhaxhai ishte mërzitur shumë dhe vetëm pasi ma ka dëgjuar zërin në telefon ishte bindur që nuk jam në mesin e të vdekurve. Komunikimi me telefon ishte shumë i vështirë, pasi jo të gjithë funksiononin nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas. Shumë pak prej nesh kishte telefon me të cilin mund të flisje në të dyja vendet. Mua një telefon ma solli njëri nga nxënësit, i cili kishte folur me familjen e tij dhe xhaxhai im, i cili kishte qëlluar afër dhe e kishte dëgjuar komunikimin e tyre, kishte pyetur për mua. “Fol me msusin Idriz”, më tha bashkëmoshatari im. Kur ra nata autobusët u nisën drejt Kosovës. Ne të gjithë të heshtur në autobus. Mbaj mend ardhjen në Malishevë në mesnatë dhe zbritjen nga autobusi. Në atë qytet që ishte bërë treg i madh, në atë qytet që ishin organizuar protesta të mëdha, në atë qytet që ishin organizuar tubime me karaktere të ndryshme, kurrë më shumë se atë natë nuk kisha parë njerëz. Çudi si kanë arritur të hyjnë autobusët në stacion. Situata ishte sikur në komunikacion, kur ka shumë vetura, ndërsa ambulanca kërkon lirimin e rrugës me sirenë. Në vend të veturave atë natë në Malishevë ishin njerëzit. Mbaj mend kur më ka ardhur radha të zbres, mezi kam arritur ta gjej hapësirën për t’i lëshuar këmbët në tokë. Mes turmës e pashë babanë i cili po më shikonte. Me shumë vështirësi, sikur po tentoja të thyeja një kordon policësh, kam arritur t’i afrohem. “Hajde të shohë edhe baci”, – më ka thënë pasi u përshëndetëm. U takova edhe me bacin, i cili vërtetoi se jam gjallë. Ishte ora 2.00 e natës. Derisa shkoja të hipja në njërën prej veturave familjare për t’u kthyer në shtëpi, pashë dhe dëgjova njerëz duke qarë, edhe një plak me plis të bardhë. Përmasën e tragjedisë e dëshmon ky plak që qanë, thashë. Të nesërmen më kontaktoi gazeta Lajm, së cilës i dhashë një intervistë. Një nga pyetjet ishte: “A duhet të shkojnë nxënësit tanë në Shqipëri edhe pas kësaj ngjarje?”. Të përpiqesh ta ndalosh dikë nga Kosova për të shkuar në Shqipëri është sikur t’i thuash dikujt ti rri vetëm në shtëpi dhe mos dil në oborr. Arsim Lani, gazetari i cili më intervistoi, më vonë, kur jemi njohur edhe nga afër, më pati thënë: “Duke e ditur se ishe i ri unë ngela i befasuar nga niveli i përgjigjeve tua”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot bëhen 18 vjet kur 15 maturantë të shkollës së…