Kujtime të hidhura për 25 marsin 1999

25 mars 2023 | 23:49

Shkruan: Milazim Krasniqi

Kujtime të hidhura për 25 marsin 1999

Dikund në orën 8 të mëngjesit të datës 25 mars 1999, më thirri në telefon Sylë Hoxha, sekretar i Degës së LDK-së në Prizren. Ai me një zë të mbytur më tha se natën e kishin sulmuar bandat familjen e Eqrem Kryeziut, se ia kishin plagosur vajzën dhe Eqremin me gjasë e kishin vrarë.

Ai më porositi që ta lajmëroja sekretaren e LDK-së, Nekibe Kelmendin, për atë që kishte ndodhur në Prizren. Unë menjëherë e formova numrin e Nekibes. M’u lajmërua një zë gruaje, më tha se ishte e reja. Ajo me një zë krejtësisht të flashkët më tha shkurt se Nekibja nuk ishte në shtëpi, meqë kishte shkuar të informohej se çfarë po ndodhte me Bajramin dhe të dy djemtë, që i kishin arrestuar natën.

Kjo për mua ishte si një bombë që të shpërthen në afërsi. Pas nja dhjetë minutash, deri sa unë ende nuk po vija në vete nga tronditja, më thirri im vëlla, Izedini. Edhe ai foli shkurt dhe me një zë të mbytur. Ai më tregoi se bandat serbe e kishin vrarë natën profesor Latif Berishën, kryetarin e Degës së LDK-së në Mitrovicë dhe Agim Hajrizin, njërin nga liderët sindikalistë të Kosovës. Pas kësaj informate, e kuptova që ishim në kurth.

E kuptova qartë se nuk ishte puna ashtu si na tha profesor Fehmiu dy ditë më parë në selinë e LDK-së, që të mjaftoheshim duke mos dalë në rrugë. Bandat e uniformuara të policisë serbe kishin hyrë nëpër shtëpi dhe kishin vrarë e kidnapuar personalitete të njohura. (…)

Profesor Latif Berishën e kam pasur mësimdhënës në fakultet dhe bëja pjesë në atë grup njerëzish, të cilët e respektonin për qetësinë dhe mirësjelljen e tij. Pamja e tij markante nuk më shqitej nga mendja.

Por, në përfytyrimin e çasteve të fundit të jetës së tij, më dukej se e shihja kur dilte ta hapte portën, se si fillonte e zvogëlohej dhe ngadalë më humbte pamja e tij në errësirë. Avokatin Bajram Kelmendin e njihja më pak, meqë me të nuk më kishte rastisur të rrija shumë.

E mbaja mend se kur ishim në grevën e urisë të gazetarëve në pallatin e Rilindjes, në vitin 1993, ai vinte çdo natë, rrinte me ne një copë herë dhe recitonte vargje të Gjergj Fishtës. Pinte duhan me llullë. Mirëpo, unë e njihja më shumë gruan e tij, Nekiben, e cila ishte sekretare e partisë sonë. Me të kishim bashkëpunim shumë të mirë. Djemtë e tyre nuk i njihja, sikundër që nuk e njihja as Agim Hajrizin dhe të birin e tij. Por, tronditja edhe për ta ishte e madhe. (…)

(…) Në mëngjesin e datës 25 mars, forcat serbe kishin hyrë edhe në fshatin Bellacërkë të Rahovecit dhe kishin vrarë rreth shtatëdhjetë banorë të fshatit, të gjithë civilë. Në mesin e të vrarëve ishte edhe babai i Edibes, Hysni Zhuniqi, pastaj dajallarët, Sedati dhe Irfani, kushërinj dhe djem dajash, që të gjithë së bashku rreth dyzet të farefisit të saj, nga rreth shtatëdhjet që ishin vrarë në atë fshat dhe në të njëjtin vend.

Tragjedia bëhej edhe më e madhe pasi që disa prej tyre, në mesin e të cilëve Hysniut, Sedatit e Irfanit, nuk u ishin gjendur trupat. Dhembja e madhe për humbjen e tyre ishte shumëfishuar edhe nga fakti që nuk dihej se ku ishin  trupat e tyre.

Një numër i pafund bisedash telefonike me njerëz të farefisit të Edibes që gjendeshin në Zvicër, në Gjermani e gjithandej në Europë, përshkonte ditët e zymta e netët e trishtuara të atij fundmarsi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleksandar Arsenijeviq, kryetar i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe” në pjesën…