Kujtimet e një jete në faqet e romanit

24 gusht 2025 | 08:59

Prof. dr. Emin Kabashi

(Aziz Mustafa, Nëse vdekjet pret, roman, Prishtinë, 2025)

Përkufizimi

Romani fillon me një fjali të çuditshme. ‘‘Mbrëmë vdiq Franzi’’. Një roman me temë, edhe mund të fillojë në këtë mënyrë. Prandaj, romani i Aziz Mustafës, Nëse vdekja pret, është roman me temë.  Do të thotë, rruga e jetës së personazheve të romanit të tij, është deri atëherë Nëse vdekja pret. Dihet, vdekja nuk pret, por po ashtu dihet, se vdekja nuk është fundi, edhe kur ajo nuk pret. Dëshmi është letra, të cilën ia dërgon vajza që nuk e kishte parë kurrë, nga një vend i largët, që autori ka vënë në fund të romanit. Aty e tutje, fillon rrëfim për jetën dhe përpjekjet për ta jetuar atë, po ashtu, Nëse vdekja pret.

Jeta e personazheve të këtij rrugëtimi jetësor bëjnë atmosferën e ngjarjeve që shtjellohen në këtë roman, gjë që mendoj, është vlera themelore e këtij romani. Prandaj, është roman me temë.

Hyrje

Kur e lexon romanin e  Aziz Mustafës, Nëse vdekja pret, lexuesi përjeton një atmosferë rrëfimi, thuajse ekzistencialiste, ku çdo ngjarje, çdo rrëfim, çdo jetë personazhesh, vjen aq natyrshëm, gati si një rrëfim personal. Do të thotë, jeta e të gjitha personazheve, thuajse përthekohet nga një mënyrë e tillë rrëfimi, diçka në mes ekzistencës së individit dhe përvojës shekullore kolektive, siç ndodh zakonisht të shkrimtarët ekzistencialistë. Në anën tjetër, rrëfimi ka natyrshmëri të tillë, sa ngjanë në një biografi, edhe të një individi, por edhe të shumë fateve njerëzore. Mendoj se kjo mënyrë rrëfimi, kjo gjetje dhe gdhendje e jetës së personazheve të romanit Nëse vdekja pret, i kanë dhënë dorë autorit të krijojë atmosferën e ngjarjeve që bëjnë gjuhën e rrëfimit në romanin e tij. Kjo është vlera themelore e një vepre artistike-krijimi i atmosferës së ngjarjeve, përmes rrëfimit të jetës dhe veprimeve të personazheve.  Mënyra e këtillë e rrëfimit të jetës së personazheve, është arsyeja themelore se ky roman lexohet me një frymë, kurse lexuesi e ka të vështirë të veçojë, qoftë ndonjë ngjarje, qoftë ndonjë personazh, që nuk i shëmbëllen realitetit të jetës së periudhës kohore kur autori, Aziz Mustafa e ka vendosur ngjarjen e romanit të tij, Nëse vdekja pret.

Struktura e romanit dhe gjuha e rrëfimit

Romani i Aziz Mustafës ka një strukturë të mirëfilltë rrëfimit, jo vetëm si gjuhë e personazheve që janë sprovuar nëpër të papriturat e jetës, por në radhë të parë, si mënyrë e të jetuarit në rrethana të caktuara shoqërore. Në roman nuk ka asgjë të tepërt, kur bëhet fjalë për praninë e personazheve nëpër rrjedhën e ngjarjeve. Autori nuk ka folur me gjuhën e tij, as me përvojën e tij, ai ka rrëfyer ngjarjet e romanit të tij me gjuhën e personazheve, me përvojën e tyre jetësore, me jetën që kanë bërë brenda realiteteve dhe mjediseve të caktuara shoqërore. Në këtë kontekst, personazhet e romanit të tij, Nëse vdekja pret, janë edhe krijues dhe bartës të ngjarjeve, secili sipas mënyrës së tij, por edhe secili sipas përvojës së tij. Prandaj, kur flitet për strukturën e rrëfimit të romanit, në radhë të parë, mendohet për mënyrën e zhvillimit të ngjarjeve të caktuara në jetën e secilit nga personazhet e tij, pa marrë parasysh sa vend zënë në tërësinë e romanit. Jeta dhe rrëfimet e ngjarjeve që bëjnë jetën e personazhit kryesor, Drinit, fillojnë me kujtimet e tij që nga fëmijëria, rinia dhe deri në kohën kur merr një letër nga një vend i largët, që është në mbyllje të ngjarjeve të romanit, nga vajza e tij që nuk e kishte parë kurrë dhe për të cilën besonte se do ta shihte më në fund, Nëse vdekja pret. Nëpër gjithë strukturën e romanit janë të pranishme të gjitha periudhat e jetës së tij, qoftë në vendlindje, qoftë në shkollë, qoftë në ushtrinë e atëhershme të ish-Jugosllavisë, ku përjeton edhe dashurinë e tij të madhe, por për të cilën nuk ishte i gatshëm të sakrifikonte diçka nga jeta e tij, sepse ajo sakrificë lidhej edhe me ardhmërinë e tij.

Personazhi i Almës, vajzës sarajevase, të cilën Drini e njeh sa ishte ushtar, në natën e parë të dashurisë së tyre, e lut që atë natë të rrinin bashkë. Por, ushtar Drini, duhej të kthehej në kazermë, ose në të kundërtën e priste dënimi. Dënimi për ushtarët shqiptarë nuk ishte dosido, ishte dënim me peshë kombëtare, sepse dënohej përkatësia etnike e ushtarit, jo faji i një ushtari, kushdo qoftë ai. Ushtar Drini ishte i vetëdijshëm për këtë, ngase e kishte edhe atë shkollën e madhe të urrejtjes, mësuar që në fëmijërinë e tij, e deri të ngjarjet që kishin për personazh Aziz Kelmendin dhe shokët e tij. Kur flitej për ta, gjuha e urrejtjes ishte e peshës së urrejtjes kombëtare, pra ushtarët shqiptarë, ishin ata që binin krime. Andaj, Drini e dinte këtë peshë të urrejtjes, gjë që ishte vendimtare për të qëndruar atë natë me Almën e tij, të cilën nuk e kishte takuar asnjëherë tjeër, siç i lutej ajo, që ta bënin një natë bashkë, apo të kthehej në kazermë. Nga kjo natë e dashurisë së tyre, Alma, të cilën lufta fashiste e Serbisë në Bosnje, e ka zhdukur, kishte mbetur shtatzëne dhe kishte lindur një vajzë, të cilën fati jetësore e kishte përplasur në Amerikën e  largët. Andaj, letra që autori e ka vënë në fund të romanit, me të cilën e mbyll ligjëratën e tij të rrëfimit të ngjarjeve, vjen nga kjo vajzë, që e kishte kuptuar se ishte e këtyre prindërve të pa prindëruar, e argumenton atë dilemën e madhe jetësore, se disa veprime bëhen në jetë, Nëse vdekja pret, ose thënë me gjuhën e autorit, ajo bartet si amanet i brezave, që kërkojnë të bëjnë ndonjë veprim, por ka vetëm një kusht, Nëse vdekja pret. Mendoj se kjo është një gjetje e rëndësishme, thuajse krejt origjinale e autorit për të shtjelluar rrëfimin e ngjarjeve, në këtë pjesë të romanit të tij. Një rrëfim thuajse i shkollës ekzistencializmit, që shkrihet natyrshëm në rrjedhën e ngjarjeve të rrëfyera përmes veprimeve të personazheve. Titulli, i romanit, pra, vjen si një rrjedhë logjike e ecejakeve jetësore të njeriut, pa marrë parasysh sa është ai i përgatitur për të papriturat e jetës, ngase çdo premtim mund të realizohet Nëse vdekja pret.

Rrafshi i krijimit të atmosferës së ngjarjeve

Autori Aziz Mustafa në romanin Nëse vdekja pret, ngjarjet e romanit nëpër të cilat përballen personazhet e tij, i ka marrë në jetën e përditshme, të një kohe të caktuara historike. Kjo kohë historike, në fëmijërinë tij e ka peshën e kohës, siç e ka mbajtur mend një fëmijë, i rritur diku në një fshat shqiptar të Kosovës, kur përveç të tjerash, flitej edhe për ata individë që kishin lidhje me pushtetin e kohës, e të cilët, fshatarët e fëmijërisë së tij, i cilësonin me emra të ndryshëm nënçmues, për të treguar se ata ishin në shërbim të atyre që nuk ia donin të mirën, as fshatit të fëmijërisë së tij. Pastaj, autori ka rrëfyer edhe periudhën e rinisë së tij dhe të personazheve të tjerë gjatë shtjellimit të ngjarjeve në roman. Prandaj, rrafshi që krijon atmosferën e zhvillimit të ngjarjeve, që mendoj se është vlera themelore e romanit, është jeta e përditshme e personazheve, qoftë të atyre që për të kryer një amanet e kanë kusht, Nëse vdekja pret, qoftë të atyre që jeta e përditshme nuk ju ka lënë kohë të mendojnë për dilema të këtilla, ku vihen në zgrip të gjëllimit rrugët jetësore, ose-ose. Ose derr i kënaqur, ose njeri i vuajtur, po të parafrazohej  gjuha e shkrimeve migjeniane.  Në roman, çdo gjë zhvillohet natyrshëm, thuajse autori i ka vënë vetes detyrë të mos shtojë asgjë nga mënyra e përditshmërisë së zhvillimit të ngjarjeve. Lexuesi e ka të qartë, se kjo mënyrë e rrëfimit ka krijuar edhe rrafshin e krijimit të atmosferës së ngjarjeve, edhe rrafshin e pranisë së natyrshme të veprimeve të personazheve, të cilat zënë një hapësirë të caktuar kohore. Më thotë mendja, se këtë mënyrë të qasjes se leximit të këtij romani, mund ta çrregullojë letra që është vënë në fund të kësaj pjese të romanit të tij, sepse ajo hap dilema të përjetshme, Nëse vdekja pret për ta parë vajzën, Nëse vdekja pret, që t’i përballojë sëmurjes, Nëse vdekja pret, që ajo rrugë e largët nga Amerika deri në Kosovën e tij, të kalohet para se të troket në derën e jetës së tij vdekja, Nëse vdekja pret që së paku ta rikrijojë ndjeshmërinë e asaj dashurie të shkurtër që kishte me Almën e zhdukur në tragjedinë me përmasa gjenocidi të Sarajevës. Duke e parë vajzën me sytë e mendjes dhe të kujtimeve, më ngulmin e kërkimit për të ditur për fatin e vajzës që shkruan atë letër, të cilën autori e ka vënë në fund të romanit të tij, krijohet ajo dilema e madhe ekzistencialiste, ia vlen të jetohet deri sa ta shihte, Nëse vdekja pret. Por rruga e kërkimit të personazhit kryesor për të kuptuar se çka kishte ndodhur me Almën, me të cilën kishte përjetuar dashurinë, e cila po ashtu kishte lënë gjurmë me peshë ekzistenciale në jetën e tij, sepse ai edhe kur nuk e kërkonte Almën, e kërkonte frytin e dashurisë së tyre, që nuk e kishte parë kurrë, gjë që ishte shumë e mundimshme, një zgrip buzë ekzistencës, Nëse vdekja pret. Të panjohurat që i dilnin përpara, ishin të shumta, derisa edhe kërkimi ndonjëherë bëhej absurd, sepse kishte aq shumë të fshehta, që nuk arrinte t’i shpjegonte, edhe për faktin se diçka kishte ndodhur në atë Sarajevën e tij të dashurisë dhe të shërbimit ushtarak, por që jetonte si në shtetrrethim nga forcat serbe, në të cilat shërbente edhe Drini, personazhi kryesor i romanit, ose thënë ndryshe, bartësi i rrëfimit që krijojnë atmosferën e ngjarjeve, andaj e kishte peng Nëse vdekja pret që të rikrijonte gjithë rrugën e panjohur jetësore përmes disa radhëve të një letre që vjen nga aq larg. Atmosfera e rrëfimit të ngjarjeve, krijohet edhe duke u përballur me ngjarje që ndodhnin kudo nëpër hapësirat ku shërbente, qoftë si ushtar, qoftë si qytetar. Janë tronditëse, edhe për moshën e tij, sidomos kur ai ishte në atë uniformë, e cila shpejt do të kuptohej se ishte pushtuese e të gjithë popujve të tjerë që nuk ishin sllavë. Kështu përjetohen edhe ngjarjet që lidhen me aktin e rënies së Azizi Kelmendit, në një kazermë shumë larg Sarajevës. Largësia ishte krejt e pa rëndësishme, se në atë ngjarje kishin mare pjesë ushtarë shqiptarë, diku në atë shtet, andaj largësia nuk kishte aspak rëndësi, ngase pesha e ngjarjeve, zbrazej mbi kurrizin e secilit ushtar veç e veç, por edhe në kurrizin e secilit njeri, varësisht se cilës përkatësi kombëtare i takonte. Drini, ushtar shqiptar, në Sarajevë, e kishte njohur një vajzë me emrin Alma, e cila ishte zhdukur nga dhuna e pushtetit okupues, bëhet shkak, por edhe pasojë e amanetit që duhej të kryhej, Nëse vdekja pret, për ta kuptuar se vajza që kishte lënë ajo, ishte pjesë e asaj periudhe jetësore të tij, ku ishin përplasur të gjitha ngjarjet, edhe ato tragjike, si vrasja e Aziz Kelmendit, si ndjekja e secilit ushtar shqiptar, pa marrë parasysh ku shërbente, si dashuria e parealizuar, por edhe si ardhja e letrës nga ajo largësi, që nuk linte shumë shpresë, Nëse vdekja pret. Ngjarjet që bëjnë tërësinë romanit, shtrihen edhe në periudha të tjera kohore, siç edhe në rrethana të tjera jetësore, ku përveç të tjerash, ndryshojnë edhe mendësia e personazheve, edhe përmasa e rrëfimit të ngjarjeve. Të gjitha këto prekin edhe jetën e Drinit. Kur thuhet prekin edhe jetën e Drinit, është marrë në shqyrtim ai pengu i madh për jetën e Almës dhe të vajzës që ishte pjesë e dashurisë, rrjedhimisht edhe e jetës së tij. Do të thotë, Drini, kudo që shkonte, pa marrtë parasysh se çka i kishte kurdisur jeta, përherë jetonte me këtë pjesë të jetës së tij, sepse atij, i vjen një letër nga vajza e Almës dhe e tij, që kishte ndodhur njëherë e një kohë, por e cila e mbante peng, deri në ardhjen e saj, Nëse vdekja pret.

Përkufizimi përmbyllës

Romani i Aziz Mustafës, Nëse vdekja pret, hap dilema të mëdha, me gjuhën e shkrimit, me rrëfimin e ngjarjeve, me krijimin e atmosferës së atyre ngjarjeve nëpër të cilat janë sprovuar personazhet e tij. Por, dilema themelore, është lënë në fund, në ato pak radhë që ka letra, në mbyllje të kësaj pjese të rrëfimit të tij në këtë roman, për faktin se çdo gjë është mundur, Nëse vdekja pret. Shtrirja e dilemës së këtillë, që hap letra, bashkë me përvojën shekullore, Nëse vdekja pret, e cila ka mundur të vihet edhe në fillim të romanit, fjala vjen, më vend të fjalisë, ‘‘Mbrëmë vdiq Franzi’’, i ka dhënë dorë autorit që duke rrëfyer ngjarjet jetësore të personazheve të tij, krejt natyrshëm në planin e shkrimit dhe të krijimit të atmosferës së ngjarjeve, të merret me jetën dhe vdekjen e personazheve të tij, vetëm sa ai ka konsideruar se është e nevojshme për të përthekuar rrjedhën e ngjarjeve në jetën e secilit Nëse vdekja pret. Si do të rrjedhin ngjarjet, cila do të jetë ngarkesa emocionale e jetës së personazheve të tij, mbetet të shihet, por ky roman e bën lexuesin për vete, si vlerë e rrëfimit të natyrshëm, që është tharmi i gjuhës së romanit modern.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pierre Cote kaloi vite duke u përpjekur të gjente një…