Kuka: Nga të rinjtë po kërkojmë rezultate, por nuk po u ofrojmë kushte

31 korrik 2025 | 11:36

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të krijojnë shkolla sportive, në mënyrë që sportistët e rinj të aftësohen dhe të jenë në nivel ndërkombëtar.

“Kosova, shteti ynë i ri, në krejt sportet ka një armatë të madhe të rinjsh, sidomos në grupmoshat e reja, e ne kemi obligim që ky numër të rritet më shumë, që fëmijët tanë të mos marrin rrugë tjera pos edukimit e sportit që promovon shëndet! Gërshetimi i sportit me sistemin edukativ – shkolla, në shtete të perëndimit por jo vetëm, për talentët e moshave të shkollës së mesme janë ndërtuar përmes gjimnazeve sportive apo Shkollave Elitare Sportive! Kosova po e ndjen mungesën për diçka të tillë!”, ka thënë Kuka.

Ai ka bërë të ditur se bashkë me Rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizi, kanë nisur një nismë në këtë drejtim: “Me Rektorin e UBT Prof. Edmond Hajrizi kemi filluar një nismë për diçka të kësaj natyre. Talentët në çdo sport, mosha 14–18, sot përballen me shumë probleme për të pasur karrierë sportive por edhe shkollim cilësor. Arsyeja: mungesat në mësim si shkak i udhëtimeve jashtë për Kampe Stërvitore!”.

Trajneri Kuka ka theksuar se po kërkohen rezultate nga sportistët e rinj, por atyre nuk po u ofrohen kushtet e nevojshme për përgatitje cilësore.

“Po kërkojmë rezultate por s’po u mundësojmë stërvitje elitare e edukim cilësor! Koha të reflektojmë, përndryshe rezultatet do jenë të zbehta për talentët tanë. S’kemi nevojë të zbulojmë asgjë, pos të ndjekim shembuj të shteteve të fuqishme në sport! Shembulli më i mirë, shteti ynë mik Gjermania – shkolla më e fortë Elitare Sportive e Potsdamit ishte me komplet stafin dhe Kryetarin e qytetit në Pejë dhe na informuan për mënyrën si funksionojnë. Trajnerë të krejt sporteve, është koha të ngrisim zërin për sportistët tanë të rinj, t’u mundësojmë stërvitje e shkollim të nivelit të lartë!”, ka deklaruar Kuka.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria e Shërbimeve Publike e Gjilanit, sot para dite me…