Kulla e mulla Ademit në Keqekollë, në prag të shkatërrimit të tërësishëm

14 dhjetor 2020 | 20:05

Keqekolla është fshat në Komunën  e Prishtinës dhe në rajonin malor të Gollakut, i cili shquhet për bukuri të rrallë e të virgjër. Fshatrat e këtij rajoni, edhe Keqekolla, janë duke u braktisur nga banorët për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe infrastrukturës së duhur për një jetë më të mirë në këtë fshat.

Të interesuarit për trashëgiminë tonë kulturore dhe kombëtare, për historinë dhe për personalitetet e rëndësishme të popullit shqiptar ndër shekuj, në këtë fshat mund ta gjejnë, ende në këmbë, vetëm se të dëmtuar shumë, shtëpinë apo kullën e Adem Keqekollës, i njohur edhe si mulla Ademi i Keqekollës, një figure mjaft të rëndësishme të fillimshekullit XX, por pak të njohur nga publiku e shumë pak të studiuar nga historianët e popullit shqiptar.

Adem Keqekolla është figurë mjaft e veçantë dhe mjaft interesante për t’u njohur dhe për të hartuar monografi për të. Ishte prijës i rëndësishëm fetar dhe politik në dy dekadat e para të shekullit njëzetë. Mulla Ademi i Keqekollës ishte edhe luftëtar i denjë, ishte edhe pjesë e elitës shoqërore të kohës. Ishte kundërshtar i xhonturqve në fund të shekullit XIX si dhe kundërshtar i rreptë i pushtimit të mbretërisë serbo-kroate-sllovene në fillim të shekullit XX. Për shkak të aktivitetit të tij atdhetar, Adem Keqekolla ishte vazhdimisht i përndjekur nga të dy pushtuesit, ai otoman e ai i sllavëve të jugut, veçanërisht nga ky i fundit, ku u përndoq gjerë në vdekje. Në vitin 1921 ai u vra në oborrin e shtëpisë, së bashku me trembëdhjetë anëtarë të familjes, gjatë një aksioni të xhandarmërisë së mbretërisë së sllavëve të jugut. Thuhet se mbi të dhe familjarët u ushtrua terror i paparë, që kulmoi me një masakër të të afërmve të pafajshëm të Adem Keqekollës.

Kulla e Adem Keqekollës në fshatin Keqekollë të Gollakut ka një ndërtim atipik krahasuar me shtëpitë dhe kasollet e kohës. Një gjë vihet re te mënyra e ndërtimit dhe afishimi i simbolikave në hyrje të shtëpisë së tij. Një mënyrë e ndërtimit, një arkitekturë që tregon se në të ka jetuar një familje e kamur, një familje aristokratike, marrë parasysh që ajo figuron të jetë e ndërtuar në vitin 1804, pra qysh në fillim të shekullit XIX. Nisur nga kjo datë e ndërtimit të kullës, mund të theksojmë se familja e Adem Keqekollës ka qenë e rëndësishme e me reputacion për kohën edhe gjatë shekullit XVIII, veçmas gjatë gjysmës së dytë së këtij shekulli.

Në hyrje të kullës dhe në pjesët e saj anësore shohim simbolika të ndryshme që mund të interpretohen si shenja me kuptime religjioze dhe nacionale. Shohim simbolin e gjysmëhënës, ylli të Davidit dhe gjarprit (gjarprit të shtëpisë) etj. Ballkonet dhe frëngjitë e kësaj kulle janë atipike në krahasim me shtëpitë e kasollet e ndërtuara gjatë kohës kur zuri fill ndërtimi i kullës së këtij njeriu të veçantë, por pak të njohur prej nesh. Kulla është e ndërtuar me material të gurit, llaçit dhe drurit.

Në ditët e sotme kjo kullë është dëmtuar pothuajse tërësisht. Muret e brendshme janë të rrëzuara, shumica e trarëve thuajse kanë rënë dhe atë e mbajnë në këmbë vetëm themelet e forta dhe muret e jashtme, veçmas ato ballore. Një gjendje e tillë e saj mund ta rrezikojë për vdekje secilin vizitor e të interesuar për historinë dhe rëndësinë e figurës së Adem Keqekollës, meqë po të hyjë brenda dhe të shkelë në katin e epërm, mund të bie poshtë dhe së bashku me trarët e kalbur. Andaj, sa më shpejt duhet intervenim nga ana e institucioneve tona publike që kanë për obligim ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore materiale dhe shpirtërore. Kulla e Adem Keqekollës në Keqekollë, që të mbetet në këmbë edhe më tutje, ka nevojë të domosdoshme për konservim dhe restaurim. Po qe se në të nuk shtrijnë shpejt dorën e ndërhyrjes institucionet, në bashkëpunim me ekspertët e trashëgimisë kulturore, kulla e Adem Keqekollës brenda tri-katër vjetëve mund të shembët krejtësisht, pasi që reshjet atmosferike, shiu dhe bora, edhe faktori njeri, mund ta dëmtojnë edhe më tutje.

 

 

(Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit kulturor “Observimi i traditës”, realizuar nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, Prishtinë. Fusnotat i hoqi redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se Kosova është në…