
Kulla: Vendet e Ballkanit s’mund të kenë konflikte mes vete, riciklime po
Trazirat e djeshme në Mal të Zi po vlerësohen se mund të ndikojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në rast se përsëriten veprime të tilla. Në mënyrë që Kosova të jetë sa më e përgatitur, njohës të politikës dhe të sigurisë thonë se duhet të rritet siguria kombëtare, si dhe të armatoset Ushtria e Kosovës e cila do të garantohej më së miri përmes anëtarësimit në NATO.
Sipas njohësit të sigurisë ndërkombëtare, Ilir Kulla, thirrjet e djeshme për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë nuk duhet të nënvleftësohen si thirrje të disa huliganëve që kanë humbur kontrollin, pasi që Serbia qëndron mirë ushtarakisht dhe ka një aleate Rusinë.
Eksperti i sigurisë ndërkombëtare, Ilir Kulla thotë, se “vendet e Ballkanit nuk mund të hyjnë në një konflikt të ri mes vete, porse mund të riciklohen konflikte të ngrira, si i Bosnjës dhe ai i Kosovës”.
Sipas tij, Kosova duhet të punojë në mobilizimin ushtarak dhe konsolidimin shtetëror pasi që ka të bëjë me një fuqi të madhe ushtarake si Serbia, e që ka aleate Rusinë.
“Vendet ballkanike nuk mund te hyjnë në konflikt mes vete, por mund të riciklohen konfliktet e ngrira, ai i Bosnjës dhe ai i Kosovës, dhe kjo është një mundësi shumë konkrete në situatën në te cilën ndodhemi… Pas zhvillimeve ne Ukrainë, Lindjen e Mesme, në Nagorno-Karabakh dhe Afganistan, klasa politike e Kosovës dhe sidomos ajo udhëheqëse duhet të shohë mundësinë e armatimit të shpejtë të ushtrisë se Kosovës me kapacitete mbrojtëse, teknologji raketore mbrojtëse, mjete ushtarake fluturuese mbrojtëse, forca speciale dhe të rikthejë shërbimin e detyruar ushtarak. Përtej rikthimit të procesit të njohjeve të Kosovës deri në zgjerimin përfundimtar të BE-së në të gjithë Ballkanin, Kosova duhet ta ketë të qartë se ka në kufi një fuqi të madhe ushtarake me Rusinë aleate, e cila jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por juridikisht e konsideron veten se nuk është larguar kurrë nga Kosova. Ndaj edhe thirrjet e djeshme për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë nuk duhet të nënvleftësohen si thirrje të disa huliganëve që kanë humbur kontrollin”, ka thënë ndër tjera Kulla.