Kupina: Presidentja Osmani do t’u kërkojë “kompromis politik” partive për të shmangur çdo bllokadë
Presidentja Vjosa Osmani, do të kërkojë kompromis politik midis partive në konsultat e saj me subjektet politike parlamentare.
Kështu tha Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes. Ai tha se shefja e shtetit do ta potencojë rëndësinë e miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm dhe Planin e Rritjes.
“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencoj rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit”, tha Kupina për Express.
Në këtë kuadër, Kupina tha se “Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Osmani nuk i ka ftuar ende partitë politike për konsultime. Kupina i tha Gazetës Express të dielën se ajo do ta bëjë këtë “gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese”.
Sot, një ditë pasi Albin Kurti shpalli dështimin për krijimin e qeverisë së re dhe tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, u raportua se deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur sot mbledhjen e nënshkrimeve për një tjetër seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka nuk ka qenë i qasshëm për t’iu përgjigjur interesimit të Express për këtë çështje. Nga kjo parti nuk i kanë mohuar raportimet.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, me të cilin Albin Kurti është takuar e ka biseduar më së shumti – por pa sukses – për krijimin e një shumice të re, e ka parë dhe nuk i është përgjigjur një pyetjeje të Express nëse është kontaktuar së fundmi për qeverinë dhe nëse ka ndryshuar diçka. Ai ka thënë së fundmi se s’bën marrëveshje me LVV-në me Dimal Bashën kryetar të Kuvendit.
Deputetja e Nismës, Arbëreshë Krasniqi iu përgjigj me një mohim të shkurtër pyetjes së Gazetës Express nëse kanë pasur diskutime me LVV-në pas dështimit të zgjedhjes së qeverisë të dielën: “Jo. Jo”.
Kurti tha dje në një konferencë për media se tani është në diskrecionin e Osmanit nëse ajo do ta mandatojë dikë për formimin e qeverisë, me PDK-në dhe LDK-në që kanë thënë se nuk do ta marrin këtë detyrë, pasi nuk mund t’i bëjnë numrat.



