
Kuqezinjtë nderojnë Arjan Salën: Heroi i heshtur mes nesh!
Sakrifica e të riut Arjan Sala, i cili shpëtoi 25 kolegë nga zjarri i rënë në magazinën e “Casa Italia” dhe humbi të vetën, i ka prekur të gjithë. Fytyra e tij do të shfaqet në ndeshjen e sotme mes Shqipërisë dhe Anglisë. Në bluzat e djemve të kombëtares është stampuar fytyra e tij, e shoqëruar me shprehjen: Heroi me shpirt mes nesh!
Siç dihet Arjan Sala, i lakuar si heroi i ditëve të fundit, mbeti mes flakëve për të shpëtuar kolegët. 33-vjeçari, prej 5 vitesh punon në këtë qendër tregtare si punonjës i sigurisë. Nga kolegët, ai njihej si një person tepër korrekt dhe i sjellshëm.
Miqtë e tij tregojnë se Arjani u shkonte gjithmonë në ndihmë. I zëvendësonte në punë edhe kur ata mungonin për arsye shëndetësore.
Mirësinë ndaj të tjerëve, ai e tregoi edhe me aktin e fundit. Arjan Sala është baba i një fëmije 2 vjeç. I vetmi që punon në familjen e tij. Jeton me bashkëshorten, djalin, nënën dhe të atin. Familjes i ka siguruar të ardhura që në moshën 18 vjeç, kur nisi edhe punën e parë.
Prej dy ditësh magazina vijon të digjet ndërsa shpresat që 33-vjeçari të jetë gjallë janë të pakta.