Kur dridhja e të pasmeve bëhet ngjarje kombëtare!?

25 prill 2023 | 08:08

Kush janë motrat Pojani (Megi dhe Marsela)? Njëra na qenka moderatore ndërsa, që të dyja na qenkan të njohura për gatishmërinë e tyre për të publikuar video në InstatStory të cilat po thyekan tabu ndër të rejat tona! Së fundmi ato paskan publikuar ca pamje nga varrezat, ku paskan qëndruar për t’i pastruar varret e të afërmve të tyre, me ç’rast nuk ia paskan përtuar që edhe të tallen, të qeshin e t’i dridhin të pasmet para familjarit të tyre të ndjerë!

Me dhjetëra media dhe faqe në rrjeteve sociale u morën me këtë veprim të motrave Pojani! Madje këtë “lajm” e kishin publikuar edhe në rubrikën “kulturë”! Tani se këto dy motra nuk paraqesin kurrfarë vlere në shoqërinë tonë, kjo është më se e qartë, por ajo që nuk kuptohet është çështja: a dinë mediat tona të bëjnë kulturë, nëse jo, atëherë, a dinë të paktën të dallojnë se çka është kulturë, çka është argëtim e çka është kloun-nizëm!

U bë lajm i ditës dridhja e të pasmeve të dy motrave në varrezat e të afërmve të tyre! U vlerësua si skandaloze ky gjest i motrave, të cilat, krejt në fund, mund të kenë vazhduar me ndonjë shaka që kanë pasur me të afërmin e tyre para se ai të vdesë! Ato thjesht po talleshin me varrin e ndonjërit nga familjarët e tyre, me të cilin mund të kenë pasur ndonjë mosmarrëveshje apo konflikt! Dhe, a mund të bëhet lajm i ditës një veprim i një anonimusi i cili në shoqërinë tonë është me zero vlera!

Këto mediat tona, këto faqe të rrjeteve sociale, a kanë dëgjuar ndonjëherë për Ermonela Jahon, sopranon tonë ndër më të mirat në botë? Natyrisht që po! Por, ja që duke u marrë me të pasmet e motrave Pojani tek dridhen mbi varret e të afërmve të tyre, shumë pak ia dolën që të marrin vesh për një sukses epokal të Zonjës Jaho! Ishin në gishta ato media kombëtare që informuan për Ermonela Jahon që u nderua me çmimin “Artist i Vitit 2023” nga juria e Internacional Classical Music Awards (ICMA). Shumë pak media folën për këtë sukses personal të kësaj dive të muzikës klasike.

Duke u shfaqur me zërin dhuratë nga Zoti nëpër koncerte të ndryshme në botë, i ka ndodhur kësaj princeshe të muzikës klasike që për një moment t’i këputen këmbët dhe të qajë si fëmija! Derisa po përulej para duartrokitjeve dhe brohoritjeve të publikut amerikan, Ermonela Jaho në një ballkon të sallës koncertale ka parë tek e valëvit dikush flamurin kombëtar! I kanë rrjedhur lotët! Ajo pamje mbase ia ka përkujtuar prejardhjen, shtetin nga vjen, kujt kombi i takon, si e rriti familja, si e shkolloi, sa hoqën ata derisa doli të bëhet ndër vlerat më të larta kombëtare! Një jetë me mynxyra të papërshkrueshme!

Çka i kanë përkujtuar varrezat e familjarëve motrave Pojani? Cili ishte motivi i tyre për t’u tallur e dridhur të pasmet në mes të varreve të të afërmve të tyre! Problemet degjeneruese familjare? Dhe, tani, këtë do ta bëjmë lajm të ditës! Ndërsa nuk e kemi kryer obligimin kombëtar – nuk kemi lajmëruar për suksesin e një vlere të kombit! Kjo nuk flet për defekt familjar, as për defekt profesional, por, mbi të gjitha, për një defekt tonin shpirtëror. /HEJZA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me një financim prej 4 milion dollarësh nga Agjencia e…