Kur e vërteta heshtet, libri flet
Nga Isidora Nikollëbibaj
Në kohët kur e vërteta nganjëherë zë vendin e fundit, zërat që flasin me ndershmëri, guxim dhe pa kalkulime politike janë më të nevojshëm se kurrë. Një nga këta zëra është ai i Arber Shabanajt, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që tashmë ka marrë edhe rolin e autorit në një nga romanet më të veçantë të shkruar mbi Luftën Çlirimtare: “Lisi i Gjakut”, (“Kur fjalët vrasin”).
Ky roman nuk është thjesht një rrëfim i një protagonisti të luftës. Është një dëshmi e drejtëpërdrejtë, një pasqyrë kritike dhe e sinqertë ndaj ngjarjeve që nuk janë rrëfyer publikisht. Me një stil të kthjellët dhe të matur, Shabanaj ekspozon jo vetëm trimërinë e shumë luftëtarëve, por edhe kontradiktat, abuzimet dhe padrejtësitë që ndodhën brenda vetë strukturave të luftës.
“Eprori i lig është në gjendje që të shkrijë një armatë të tërë, vetëm që nesër të marrë për vete medaljen e gjakosur me gjakun e dëshmorit”, shkruan autori në libër – fjali që përmbledh filozofinë e gjithë veprës: Ballafaqim i ndershëm me të kaluarën.
Një autor që ka qenë aty ku ndodhi historia
Arber Shabanaj nuk flet nga pozita e një vëzhguesi të jashtëm, por si një prej komandantëve të një njësie të UÇK-së, që ka përjetuar luftën në të gjithë dimensionet e saj: Si ideal, si përplasje reale dhe si zhgënjim pas lufte. Me një përgatitje ushtarake të thelluar, ai ka qenë në vijën e parë të betejave të ashpra në Pashtrik dhe ishte eprori direkt, kryesor dhe i autorizuar – në vijen e frontit, në Betejën e Pashtrikut – i heroit të rënë në luftë për lirinë e Kosovës, i Astrit Sulit.
Ky fakt e bën romanin e tij të jetë më shumë se letërsi: Është një dokument i gjallë historik, që ruan zërin autentik të një kohe që shumë janë përpjekur ta interpretojnë sipas interesave.
Kur mediat heshtin, lindin pyetje
Më 17 qershor 2024, Arber Shabanaj ishte i ftuar në një intervistë drejtpërdrejt në programin „Mirëmëngjesi Kosovë“ në RTK. Gazetarja Alketa Gashi Fazliu mbajti në dorë romanin dhe zhvilloi një bisedë dinjitoze për veprën dhe autorin. Por ajo që ndodhi më pas ngriti pikëpyetje të shumta: Xhirimi nuk u publikua kurrë në internet dhe, sipas të gjitha gjasave, u tërhoq me ndërhyrje nga instanca të jashtme.
Unë vetë i jam drejtuar televizionit për të marrë një përgjigje mbi fatin e këtij materiali, por deri më tani nuk kam marrë asnjë informacion zyrtar. Kjo heshtje e pajustifikueshme, në një media publike që duhet të mbrojë të vërtetën dhe lirinë e fjalës, është alarmante.
Libri që flet kur të tjerët heshtin
“Lisi i Gjakut” ka thyer shumë barriera. Ai flet për komandantë që morën merita të pamerituara, për luftëtarë që u lanë pas dore, për ushtarë që u dënuan pse kërkuan bukë, dhe për drejtues që në vend të lirisë, sollën frikë. Shabanaj nuk e anashkalon as vetveten në këtë proces – ai rrëfen, analizon dhe reflekton. Kjo është forca e veprës së tij: Ndershmëria radikale dhe refuzimi i glorifikimit të rremë.
Një roman që nuk duhet të anashkalohet
Nuk është rastësi që ky roman ka krijuar jehonë dhe polemika. Ai nuk është komod. Ai prek nervin e gjallë të një historie ende të pambyllur. Prandaj, ka shumë rëndësi që opinioni publik të ketë qasje në të – dhe të formojë gjykim të vetin, larg ndërhyrjeve, ndalimeve apo heshtjeve të qëllimshme.
Ky është një libër që informon, sfidon dhe nxit reflektim. Ai u kundërvihet “recensave” të trilluara nga individë të identifikuar qartë në vepër – njerëz që janë përpjekur ta manipulojnë historinë tonë kolektive. Por libri mbetet dhe flet.
Informacion praktik për lexuesit
Arber Shabanaj – „Lisi i Gjakut“ („Kur fjalët vrasin“)
Shtëpia Botuese Neopubli GmbH / Epubli, Berlin
- Roman 324 faqe
- ISBN: 978-3-7584-5595-7
- Çmimi: 19.99 EUR
- Botim: Shtëpia Botuese „Neopubli GmbH“ / „Epubli“ 10997 Berlin 1. Auflage April 2023
Shtëpia Botuese Agora – Tiranë
- 336 faqe
- ISBN: 978-9928-3122-3-5
- Çmimi: 1000 Lekë
- Botim: Agora, Tiranë, nëntor 2023
Për më shumë:
https://www.youtube.com/watch?v=nmUTqeT4AuI
https://www.youtube.com/watch?v=0ZtQmZbvAqI
📰 Artikulli: https://www.revistatime.al/autori-i-romanit-lisi-i-gjakut-arber-shabanaj-ne-nje-rrefim-ndryshe/
Në një kohë kur manipulimi është bërë mjet pushteti, kur shumë zëra të së shkuarës tentohen të zhbëhen, zëri i Arber Shabanajt – përmes veprës së tij – na kujton se asnjë ideal nuk mund të ndërtohet mbi heshtje e harresë.
Lexoni “Lisin e Gjakut”.
Për të kujtuar. Për të kuptuar. Për të mos harruar.
Ju falënderoj.
Isidora Nikollëbibaj




