
Kur gratë forcojnë njëra-tjetrën, forcojnë gjithë shoqërinë
Shkruan: Astrit Gashi
– 8 Marsi nuk duhet të jetë thjesht një ditë simbolike për të dhuruar lule. Por kjo date duhet të jetë si një manifest i vlerave, i meritokracisë dhe i përfaqësimit të denjë të gruas shqiptare në shoqëri. Historia ka dëshmuar se gratë shqiptare nuk kanë qenë kurrë figura dytësore në ndërtimin e kombit tonë! Përkundrazi, ato kanë qenë shtylla të tij mbrojtëse të dinjitetit kombëtar, të palëkundura përballë sfidave të jetës, dhe edukatore të brezave të ardhshëm.
Por kjo forcë nuk duhet të mbetet e fshehur, një fuqi që shfaqet vetëm në momente tragjedie e sakrifice. Forca e gruas duhet të manifestohet çdo ditë në fjalët e saj, në vendimet që merr dhe në mënyrën sesi përfaqëson veten dhe të tjerët. Dhe mbi të gjitha, vlerat e saj nuk mund të mbrohen nga të tjerët nëse nuk mbrohen nga vetë gratë.
John Stuart Mill, një nga filozofët më të mëdhenj që ka mbrojtur të drejtat e grave, argumentonte se asnjë shoqëri nuk mund të përparojë duke shtypur gjysmën e saj. Por ironia e madhe është se shpesh janë vetë gratë që e pengojnë njëra-tjetrën. Në vend që të fuqizojnë dhe të mbështesin njëra-tjetrën, disa zgjedhin të promovojnë antivlera, të shesin parimet për interesa të përkohshme dhe të heshtin përballë padrejtësive.
Ky fenomen nuk është i ri, por mbetet një nga sfidat më të mëdha të lëvizjes për barazi. Feminizmi nuk është një luftë kundër burrave, por është një betejë për drejtësi. Por kur kjo betejë përdoret si një vegël për pushtet, manipulim apo hakmarrje, ajo humbet kuptimin e saj dhe kthehet në farsë. Në vend që të sjellë barazi të vërtetë, ajo krijon ndasi dhe një formë të re shtypjeje.
Haki Stermilli, një nga zërat më kritikë ndaj padrejtësive gjinore shkroi romanin e tij “Sikur të isha djalë” në një kohë kur gratë jetonin nën hijen e një shoqërie patriarkale. Protagonistja, Dija, nuk është thjesht një personazh letrar, por një simbol i revoltës kundër shtypjes, një manifest i gruas që kërkon barazi dhe liri.
Por sot, kur padrejtësitë ndaj grave vazhdojnë, unë them “Sikur të isha grua”, për të luftuar jo vetëm diskriminimin e imponuar nga burrat, por edhe atë që buron nga vetë gratë.
8 Marsi nuk duhet të jetë vetëm një ditë festimesh sipërfaqësore. Ai duhet të jetë një moment reflektimi dhe veprimi.
Le të mos jetë kjo ditë thjesht një rast për të dhuruar lule, por një angazhim për të mos lejuar që zëri i grave të vërteta të mbetet në hije. Le të mos jetë vetëm një urim, por një thirrje për drejtësi dhe barazi të vërtetë.